Ngjarja ka ndodhur në Sarandë, por policia arrin ta ndalojë në Lushnjë
Superhajduti i mitur shënon grabitjen e radhës, duke rënë sërish në prangat e policisë. Bëhet fjalë për Markeljano Cungun, që kësaj here e ka zgjeruar gjeografinë e bëmave të tij. Kësaj radhe ka qenë një makinë e shtrenjtë me targa të Fierit e piketuara e superhajdutit. Pasi e ka grabitur atë në qytetin e Sarandës, ai ka dashur ta çojë në drejtim të Tiranës, por nuk ka mundur t’i shpëtojë Policisë së Lushnjës, e cila i kishte bërë pritë në autostradën Fier-Lushnjë. 13-vjeçari rrezikon sërish disa ditë burg, edhe pse pak kohë ka që ka dalë prej qelisë.
Burimet zyrtare të Komisariatit të Lushnjës pohojnë për gazetën se në orën 16.30 minuta të pasdites së të shtunës i kanë vënë prangat 13-vjeçarit Markeljano Cungu. Ky ishte duke drejtuar një automjet luksoz të tipit “Mercedez Benz ML” me targa FR 8888 C me ngjyrë gri. Arrestimi i Cungut është realizuar në vendin e quajtur Savër, në autostradën Fier-Lushnjë.
“Cungu po udhëtonte në drejtim të Tiranës dhe po ecte me shpejtësi tej normave të lejuara. Postblloku i parë policor në kryqëzimin e Kolonjës nuk ka mundur ta ndalojë 13-vjeçarin dhe makinën që po drejtonte. Ndërkohë që është ndaluar në postbllokun pasardhës, ai që ndodhej disa kilometra më poshtë, duke e ndalur dhe arrestuar. Menjëherë atij i janë vënë prangat, edhe pse është përpjekur të mos ndalojë” bëjnë të ditur burime të policisë së qarkullimit. Postblloku ku u arrestua 13-vjeçari superhajdut, përveç rrugorëve, ka qenë i përbërë edhe nga agjentë të antikrimit. Cungu është vënë në pranga dhe është transportuar për në mjediset e Komisariatit të Lushnjës, nga ku do të dërgohet për në Sarandë, ku edhe kishte kryer vjedhjen e makinës së shtrenjtë. Sipas Policisë së Lushnjës, Markeljano Cungu makinën e fierakut e ka vjedhur në Sarandë, ndërsa pronari i saj ishte duke kaluar fundjavën në plazh. Pas konstatimit të vjedhjes së makinës, pronari ka njoftuar Policinë e Sarandës, e cila të dhënat e makinës i ka dërguar nëpër policitë fqinje, të Tepelenës, Ballshit, si dhe Fierit e Lushnjës.
Policia e Lushnjës, e cila e ka marrë paraprakisht në pyetje Cungun, shprehet për gazetën se vjedhjen e radhës ai e ka kryer me bashkëpunëtor. Policia është duke kërkuar autorin e dytë të mundshëm, edhe pse 13-vjeçari nuk ka preferuar të nxjerrë emra.
Popularity: 1% [?]




