BALLSH- 102 persona në qytetin e Ballshit janë shtruar në spital, ndërsa dyshohet që shkak për këtë shtrim masiv, të jetë bërë helmimi nga uji i pijshëm. Shtrimi i tyre në një hark të shkurtër kohor, vetëm 2 ditë ka alarmuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë e Institutin e Shëndetit Publik. Duke qënë se numri i personave që kërkonin hospitalizim ka qënë i lartë, disa prej tyre janë dërguar edhe drejt spitalit të Fierit
Mësohet gjithashtu, se të gjithë personat e shtruar në spital jetojnë në qytetin e Ballshit, por deri tani nuk konfirmohet ende shkaku i këtij shtrimi masiv në spital.
Ministria e Shëndetësisë me të marrë vesh lajmin aspak të zakontë, ka ngritur menjëherë dy grupe hetimore, të cilët janë nisur mbrëmjen e sotme drejt Ballshit, për të vërejtur situatën e krijuar atje nga afër.
Në grupin e ngritur nga MSH, ndodhet edhe Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, i cili deklaron se është ende herët të flitet për helmim të këtyre banorëve, ndërkohë që thekson se “MSH ka dhënë urdhër për të ndërprerë furnizimin e qytetit me ujë të pijshëm.
Në lidhje me këtë ngjarje ka ardhur edhe reagimi i Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili deklaron se 102 persona kanë marrë trajtim në spitalin e Ballshit, por sipas tij “aktualisht nuk janë të shtruar 102 persona në këtë spital, por vetëm 30. Ndërsa 10 të tjerë janë të shtruar në Fier”, – thekson Vasili.
Sipas ministrit, pacientët vijnë në spital, marrin trajtim dhe largohen, ndërsa shton se “është dhënë urdhër për ndërprerjen e ujit të pijshëm në qytetin e Ballshit, deri në zbardhjen e shkaqeve të plota.”
Ministri Vasili është nisur sot në mbrëmje drejt Ballshit, për të qënë sa më afër situatës dhe për të parë nga afër gjëndjen e pacientëve, ndërsa ka deklaruar se në këtë spital “Nuk ka më pacientë që paraqesin simptomat e helmimit dhe asnjëri prej tyre nuk ka qënë në rrezik për jetën.
Popularity: 1% [?]




