Inspektorati: Gjatë këtij viti janë evidentuar 34 raste dhe janë penalizuar fermerët
Inspektorati i Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut të Fierit llogarit një bilanc në shifra të larta të dëmtimit të tokës bujqësore. Përveç fenomeneve natyrore, dora e njeriut ka qenë shkaktari kryesor i rasteve të shumta të dëmtimit të tokës. Sipas të dhënave që jep kryetari i Inspektoratit të Tokës Bujqësore, Pëllumb Saliaj, mësohet se për gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë evidentuar 34 raste të dëmtimit të tokës bujqësore nga vetë fermerët.
Evidentimi i tokës së dëmtuar është bërë pas kontrolleve që agjentët e inspektoratit të sipërcituar kanë kryer. Në rastet e dëmtimit, inspektorati ka prerë edhe gjoba, si dhe ka vendosur masa të tjera ndëshkimore. Në disa raste, fermerët janë detyruar të kthejnë në gjendjen e mëparshme tokën e dëmtuar. Por, pranohet fakti se edhe pse autoritetet kanë marrë këto masa ndëshkimore, toka bujqësore nuk është kthyer në gjendjen e saj të mëparshme. Në të tilla raste, inspektorati ka shkuar deri edhe në kallëzim penal për dëmtuesin e tokës.
Sipas kreut të Inspektoratit të Tokës Bujqësore në Fier, është paditur një firmë ndërtimi, e cila ka rezultuar pas kontrolleve të kryera se ka dëmtuar tokë bujqësore në rrugën e fshatit Cakran.
“Dëmtime të tokës bujqësore janë konstatuar në mjaft zona të tre rretheve të Qarkut Fier. Kështu janë konstatuar dëmtime në Komunën Qendër, Mbrostar, Cakran, Frakull të Rrethit të Fierit, si dhe në komunat Bubullimë, Kolonjë e Tërbuf të Rrethit Lushnjë. Gjithashtu janë konstatuar dëmtime edhe në rrugën Fier-Ballsh, si dhe në dy komuna të Mallakastrës. Për të 34 rastet e konstatuara janë mbajtur procesverbale”, ka thënë kreu i Inspektoratit të Tokës, Pëllumb Saliaj. Ai ka thënë se sipërfaqet e dëmtuara janë të mëdha. Ka raste të veçanta kur dëmtimi shkon deri dhe në 3 hektarë. Në total toka e dëmtuar shkon në dhjetëra hektarë.
Dimri i sivjetshëm, tepër i lagësht, është cilësuar si një faktor më shumë për dëmtimin e tokës bujqësore. Gjatë periudhës së parë të vitit, reshjet e shiut bënë që sipërfaqe të tëra toke të rrëshqisnin. Më tepër se 900 hektarë tokë bujqësore u prekën nga dëmtimi si pasojë e kushteve natyrore, kryesisht rrëshqitjeve.
Edhe në mbledhjen e pak ditëve më parë, Këshilli i Qarkut u bëri apel komunave veçanërisht për të ndërhyrë, me qëllim frenimin e fenomenit të dëmtimit të tokës. Asnjë nga komunat nuk ka raportuar dhe nuk ka mbajtur procesverbale për rastet e evidentuara të dëmtimit.
Popularity: 3% [?]




