Kategoria | Aktualitet

Etiketat : , , , ,

Fier, 650 invalidë mbeten tre muaj pa pensione

Problemi në Komunën Cakran, të prekurit kërcënojnë me grevë urie

Mbi 650 invalidë të Komunës së Cakranit në rrethin e Fierit kanë tre muaj pa u paguar për pensionin e invaliditetit. Ata i janë drejtuar komunës çdo ditë, por nuk marrin asnjë përgjigje. “Kam mbi 2 javë që vij përditë në komunë. Dua të takoj kryetarin dhe t’i them për pensionin, por ai nuk duket. As këta vartësit e tij këtu nuk na japin shpjegim”, thotë Vezir Lalaj, invalid.

Si ai janë me dhjetëra invalidë që kanë ditë që kërkojnë një shpjegim nga titullarët e komunës, e që akuzojnë se drejtuesit e komunës nuk denjojnë të frekuentojnë zyrat e jo më të zgjidhin problemin e tyre.

Invalidët thonë se nuk janë paguar që nga muaji prill i këtij viti. “Jemi pa ilaçe dhe pa bukë”, thotë një përfaqësi e 650 invalidëve që paraditen e së mërkurës kanë vendosur të hidhen në grevë urie. Ankesat dhe akuzat që bëjnë invalidët e Cakranit lidhen edhe me mbajtjen e një tarife prej 100 lekësh të reja që ua ka aplikuar komuna disa muaj me radhë. Ata thonë se mbajtja e kësaj shume lekësh është një formë abuzimi i hapur. “Na mbajnë nga 100 lekë me pretekstin e shërbimit postar. Ky shërbim nuk ofrohet te ne, pasi të gjithë ne vijmë pranë komunës për t’i marrë lekët. Kështu shuma që abuzojnë këta shkon në 650 mijë lekë të vjetra, pasi nga 1000 lekë që u mbahet të 650 invalidëve kaq del llogaria”, thotë Agur Tafaj.

Nga ana tjetër, lidhur me akuzat që hedhin invalidët dhe për shqetësimin që ata kanë për vonesat e pensioneve, kryetari i Komunës Cakran, Vladimir Korçari, thotë se është qeveria përgjegjësja e situatës së krijuar me invalidët. “Për më shumë se 650 invalidë të Komunës Cakran qeveria nuk ka akorduar fonde për pagesën e masës së pensionit të tyre. Nuk kemi madje as afat prej përfaqësuesve të qeverisë. Aq më tepër edhe komuna nuk ka fonde për të mundësuar pagesën e kësaj kategorie sociale”, tha kryekomunari Vladimir Korçari.

E ndërsa nuk shpresohet zgjidhje për invalidët e Cakranit, këta të fundit kërcënojnë me përshkallëzim të formave të protestave.

Popularity: 2% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com