Shumë emigrantë tërheqin nga bankat shumat e lekëve dhe të valutave që i kanë pasur të depozituara me afat të gjatë
Bie ndjeshëm numri i emigrantëve të kthyer për pushime gjatë kësaj vere. Së bashku me emigrantët janë ulur edhe dërgesat financiare të tyre. Kjo faktohet nga nëpunës të bankave operuese të Fierit, drejtues të së cilave shprehen për “Shqip” se depozitat e emigrantëve kanë rënë me afro 60%. Në Fier veprojnë filialet e të gjitha bankave operuese në vend. Bëhet fjalë për disa banka të nivelit të parë dhe të dytë. Pothuaj të gjitha akset kryesore të qyteteve të tre rretheve të Qarkut të Fierit, Lushnjës e Mallakastrës janë të mbushura me banka. E ndërsa më parë në to fluksi i emigrantëve ka qenë i lartë, këtë vit nuk ka gjasa të jetë i tillë. Paralajmërimi është dhënë që nga festat e fundvitit të shkuar dhe fillimit të vitit 2010, ndërkohë që “braktisja” e bankave nga emigrantët është thelluar gjatë festës së Pashkëve, ku numri i tyre ka qenë tepër i ulët. Por, dërgesat e emigrantëve dhe bashkë me to edhe depozitat janë ulur edhe për periudhën katërmujore prill–korrik, që nga Pashkët e deri në verë.
Edhe përfaqësues të bankave të nivelit të parë janë shprehur për rënie të ndjeshme të depozitave të emigrantëve. Rënia ka shkuar dhe deri në 60%. Madje edhe transaksionet e emigrantëve kanë rënë. Përfaqësuesi i një prej bankave të nivelit të parë në Fier, B. Xh., pohon se gjatë stinës së verës, dhe më konkretisht gjatë muajve korrik dhe gusht, periudhë kur vinin emigrantët, banka që drejtonte ai punonte me orë të zgjatura. Mirëpo këtë verë nuk ka qenë nevoja për diçka të tillë, pasi nuk ka lëvizje dhe frekuentimi s’është si më parë. Por ka edhe drejtues bankash që pranojnë faktin se dhjetëra emigrantë kanë arritur deri aty sa të tërheqin depozitat e tyre që kanë qenë me një afat të zgjatur.
Popularity: 3% [?]




