Kategoria | Aktualitet

Fier, shpallen të paligjshëm puset e ujit

Kërkohet zbatimi i ligjit që nuk lejon shfrytëzimin pa leje të nëntokës përtej 70 centimetrave

Nevoja e ngutshme e shtetit për para do të bëjë që të paguajnë taksa edhe pronarët e puseve të ujit. Një nismë e pazakontë është ndërmarrë këto ditë nga Komuna Mbrostar e Fierit, që i ka shpallur të paligjshme vrimat nga ku fshatarët e etur nxjerrin ujë. Kryetari i kësaj komune deklaron se të gjithë fshatarët që kanë puse, do të duhet të aplikojnë për leje, në të kundërt puset e tyre do të mbulohen me dhé.

“Leja e pusit” nuk është kërkuar ndonjëherë më parë në Shqipëri. Pusi është zgjidhja kryesore e furnizimit me ujë për fshatarët, por për këtë ka një ligj të miratuar që në vitin 1996 dhe të ndryshuar disa herë deri në vitin 2009.

Ajo që e bën edhe më të çuditshme nismën e Komunës Mbrostar, është fakti që mbyllja e puseve kërkohet pikërisht në kulmin e vapës, kur temperaturat e zhegut i kalojnë 40 gradë Celsius dhe kur fshatarët e zonës nuk furnizohen rregullisht nga ujësjellësi i komunës.
Komuna

Kryetari i Komunës Mbrostar, Vait Baçja, dhe administrata që ai drejton, i konsiderojnë puset e hapura privatisht nga fshatarët si shkaktarë të mjaft dukurive të rënda natyrore. Madje, kryekomunari i cilëson puset të kundërligjshëm.

Nisma e ndërmarrë nga Komuna Mbrostar ka të bëjë me mosrespektimin e ligjit për hapjen e puseve të ujit. Por problemi më i madh, sipas kryekomunarit, është fakti që puset në oborret e shtëpive bëhen shkak për shkarje toke, që mund të kenë pasoja të rënda.

Vait Baçja thotë se ligji ndalon hapjen e puseve pa lejen përkatëse. Sipas tij, nëse kalon thellësinë e 70 centimetrave, çdo ndërtues duhet të pajiset me leje përkatëse dhe për puset leja duhet të lëshohet nga autoritetet e ujit.

“Nuk është respektuar thellësia e pusit. Ka me dhjetëra familje në Mbrostar, të cilat kanë shkelur ligjin. Ne kemi nisur një aksion evidentimi që do të pasojë me masa konkrete”, ka thënë kryekomunari Baçja.

Mësohet se nga kryerja e kontrollit treditor janë evidentuar 45 puse të thelluara në oborret dhe bahçet e shtëpive të fshatarëve. Sipas zyrtarëve të komunës, ka pasur edhe raste kur shpimi i puseve ka shkaktuar rrëshqitje të tokës, si dhe dëmtim të ndërtesave pranë.

Sipas kryekomunarit Vait Baçja, pas evidentimit të të gjitha puseve pa leje, komuna do të nisë procesin e pajisjes së këtyre puseve me lejet përkatëse. Në rast se autoritetet nuk japin leje, familjet që kanë këto puse do të duhet t’i mbyllin përsëri.
Reagimi

Por aksioni i pazakontë ka bërë që poseduesit e puseve të reagojnë ashpër. Ata thonë se nuk do të lejojnë askënd të prekë puset dhe se komuna, përpara se të marrë këto masa të palogjikshme, duhet t’u sigurojë banorëve të saj ujë të pijshëm 24 orë. Shumë banorë të Mbrostarit deklarojnë se vuajnë nga mungesa e ujit, ndaj janë detyruar të hapin puse, si e vetmja mënyrë për të plotësuar nevojat. Ndërkohë, shumica e poseduesve të puseve nuk e dinë se ekzistojnë leje të posaçme për një gjë të tillë. Fakti që leja e pusit duhet paguar dhe se komuna mund të kërkojë pastaj edhe taksa të përvitshme për puset, i ka bërë banorët të jenë kundërshtues dhe të mos lejojnë ndërhyrjen në pronën e tyre.

Popularity: 3% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com