Thellohet skandali me regjistrat e gjendjes civile në Fier. Mungesa e çregjistrimit të një shtetaseje që ka vdekur në dhjetor të vitit 1946, “do të detyrojë” të afërmit e saj, t‘i kërkojnë firmën për të marrë pronat e prindërve. Por kjo është vetëm një pjesë e historisë. Gjykata u “ka rekomanduar” palës së interesuar ta deklarojnë të zhdukur të afërmen e tyre, ndonëse ajo ka 63 vjet që ka vdekur, për të lehtësuar procedurat.
Gjykata
Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit Gjyqësor Fier ka pushuar tri ditë më parë një çështje për kalim trashëgimie. Çështja ka nisur nga familja Grëmi, me origjinë nga fshati Zharrëz, komuna me të njëjtën emër në rrethin e Fierit. Pas leximit të dosjes së çështjes, e cila nuk u mor fare në shqyrtim prej Gjykatës së Fierit, del se historia e skandalit nis dhe përfundon pikërisht te regjistrat e gjendjes civile.
Historia
Më datë 1 mars të vitit 1946, çifti Bajram dhe Razie Grëmi, sjellin në jetë një vajzë, të cilën e pagëzojnë me emrin Resmie. Regjistrimi i parë i popullsisë së Shqipërisë, nisi në vitin 1945 dhe pikërisht në këtë periudhë, foshnja Resmie Grëmi rezulton e regjistruar nga prindërit. Foshnja nuk pati jetë të gjatë dhe pas 9 muajsh vdiq. Në vitin 1950, u bë verifikimi i popullatës dhe krahas të dhënave të regjistrave të parë, u shtuan dhe lindjet dhe vdekjet në vijim. Nga shfletimi i dokumenteve të dosjes së pushuar prej gjykatës, në regjistrat e vitit 1950, Resmie Grëmi rezultonte e vdekur, pra e çregjistruar. Rihedhja e të dhënave në regjistrin e vitit 1974 e ka cilësuar sërish Resmien të vdekur dhe kështu ka vijuar deri në regjistrat e vitit 1992. Por për çudi, në regjistrat që posedon sot gjendja e civile e Komunës Zharrëz, shtetasja Resmie Grëmi figuron e gjallë. Eshtrat e saj bashkë me të prindërve kanë dhjetëra vjet që janë tretur, por emri i saj figuron si e gjallë në trungun familjarë të Grëmëve. Edhe në zyrën kryesore të gjendjes civile në shkallë qarku, Resmie Grëmi rezulton e gjallë.
Motra e saj, Dituri Kaja, ka thënë për gazetën “Shqip” se: “Ne si motra e vëllezër kërkonim të nisnim procedurat për çeljen e trashëgimisë së prindërve. Këta të fundit na kanë vdekur prej më shumë se 25 vjetësh. Gjatë plotësimit të dosjes së dokumenteve na kërkuan edhe certifikata të viteve të mëparshme me qëllim zbardhjen e të gjithë trungut familjar. Marrja e certifikatave, vit pas viti, na nxori motrën e vdekur sikur të ishte gjallë. Me të gjithë dosjen e kompletuar i drejtohemi gjykatës, por kjo e fundit e pushoi çështjen, për shkak se duhet marrë edhe firma e saj për të nisur një çështje trashëgimie në gjykatë”.
Sipas gjykatës, fillimisht Resmie Grëmi duhet deklaruar si e zhdukur, duhet bërë publikimi i zhdukjes në gazetën zyrtare e më pas të nisë procesi gjyqësor për çeljen e trashëgimisë. Po ligjërisht gjykata është shprehur se çështja zgjidhet edhe me sigurimin e firmës së Resmie Grëmit. Por kjo është akoma më e pamundur. Rrugëzgjidhja e ofruar nga organet e drejtësisë, ka shtangur të afërmit, shtatë motrat dhe vëllezërit që në konsensus me njëri-tjetrin kishin vendosur të ndanin trashëgimin e prindërve. “Kemi dëgjuar se ka mosmarrëveshje mes vëllazërisë së gjallë për ndarjen e pronave, por ne kemi konflikte me ‘të gjallët‘ e pashpallur si të vdekur”, deklaron tërë indinjatë Dituri Kaja, e cila thotë se skandalin në fjalë do ta vijojë duke e bërë publik në të gjitha shkallët e gjykimit, si dhe të institucioneve shtetërore që deklarojnë se janë institucione që japin drejtësi.
Popularity: 1% [?]




