Pjesa më e madhe e gjyqtarëve të Fierit e kanë braktisur mbledhjen e gjyqtarëve ditën e shtunë në Tiranë. Të paktën ky është deklarimi që vjen nga shumë prej togave të zeza të këtij qarku që janë pyetur nga gazeta “Shqip”. Zyrtarisht, kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier, Andi Civici, ka pohuar për “Shqip” se “edhe unë personalisht nuk kam mundur të shkoj në takimin e Tiranës”. “Kam qenë në një shërbim jashtë vendit, në Itali dhe jam kthyer një ditë pas zhvillimit të saj”. Andi Civici ka zbardhur edhe mënyrën e organizimit për pjesëmarrje. Ai ka thënë se 10 ditë më parë kryetarja e Gjykatës së Lartë ka dërguar drejt Fierit ftesën. “Unë nuk e kam ndjekur nga afër organizimin e ditës së shtunë për pjesëmarrje dhe do të njoftohem ndoshta të hënën. Por ka qenë thjesht një ftesë pjesëmarrja dhe jo urdhër”, ka detajuar kreu i Gjykatës së Fierit. Edhe një gjyqtar tjetër në këtë qark, Ergys Selmanaj ka pohuar mospjesëmarrjen, duke u justifikuar se nuk ka vajtur për arsye të rënda familjare, pasi kishte fëmijën e vogël mjaft sëmurë”. Nga burime të sigurta brenda Gjykatës së Fierit konfirmohet se pjesëmarrja e togave të zeza në takimin e së shtunës ka qenë mjaft e ulët.
Popularity: 1% [?]




