Gjykata detyron kompaninë të dëmshpërblejë, por nuk kthen askënd në punë
Shumë nga naftëtarët që humbën vendet e punës për shkak të ristrukturimit të sektorit të naftës i janë drejtuar gjykatës me padi kundër kompanisë shtetërore “Albpetrol”. Shumica e proceseve gjyqësore të zhvilluara deri tani kanë përfunduar dhe kanë nxjerrë fitues naftëtarët, të cilët nuk kanë mundur të rifitojnë vendin e punës, por vetëm dëmshpërblime financiare. Punonjësit e sektorit të naftës hedhin në gjyq kompaninë “Albpetrol” sh.a., pasi kjo e fundit, sipas tyre, i ka larguar nga puna në mënyrë të paligjshme. Sipas të dhënave nga Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier, konfirmohet se për periudhën janar-qershor të vitit 2010 janë depozituar mbi 354 padi për marrëdhënie pune. Burimet zyrtare të gjykatës tregojnë se 90 për qind të çështjeve të regjistruara për marrëdhënie pune përbëhen pikërisht nga paditë e naftëtarëve. Mësohet se shumica e paditësve e kanë humbur vendin e punës me pretekstin e reformës së zbatuar në sektorin e naftës konform disa kritereve. Por pikërisht kriteret janë mbrojtja e vetme naftëtarëve, që i janë drejtuar gjykatës. Ata pretendojnë se kriteret janë shkelur dhe gjykata u ka dhënë të drejtë në shumicën dërrmuese të rasteve. Dhjetë për qind e padive të kryera në gjykatë për humbjen e vendit të punës janë bërë kundër institucioneve si arsimi, energjetika etj. Duke iu referuar të dhënave që servir zyrtarisht Gjykata e Fierit konfirmohet se gati 293 raste padish janë pranuar dhe për to ka nisur procesi gjyqësor. Po kaq raste kanë fituar edhe gjyqet në përballje me kompaninë apo dhe institucione të tjera, duke fituar në këtë mënyrë edhe të drejtën e dëmshpërblimit në vlera monetare. Për rastet e naftëtarëve, ata kanë fituar të drejtën e marrjes së pagës dhe asistencës. Askush nuk ka mundur të fitojë nga gjykata të drejtën për rikthim në punë. Vetëm 19 çështje mësohet se janë pushuar për shkak të tërheqjes së punonjësve nga përballja me gjykimin.
Popularity: 1% [?]




