PATOS- Sërish tensione në Këshillin Bashkiak të Patosit në Fier. Rreth 86 punonjës të dy ndërmarrjeve në varësi të Bashkisë së Patosit, kanë hyrë në sallën e mbledhjeve duke debatuar ashpër me këshilltarët.
Ata pretendojnë se nuk janë paguar prej gati dy muajsh, ndërsa fajësojnë autoritetet vendore për moslëvrimin e fondit për pagat.
Kanë mjaftuar pak minuta dhe punonjësit kanë nisur të konfrontohen me këshilltarët duke shkaktuar një situatë të tensionuar në sallë. As ndërhyrja e forcave të rendit dhe policisë bashkiake nuk ka mundur të shmangë përplasjet.
Në sherr e sipër, si pasojë e gjendjes emocionale, një prej punonjësve të Ndërmarrjes së Gjelbërimit ka humbur ndjenjat ndërsa u dërgua menjëherë drejt spitalit rajonal.
Nga ana e tij, kreu i Këshillit Bashkiak Maksim Goga ka mohuar se institucioni që ai përfaqëson të ketë bllokuar fondin e pagave por kjo nuk ka mjaftuar për të qetësuar gjendjen.
Situata e tensionuar ndodhi brenda sallës së Këshillit Bashkiak kur pritej të zhvillohej mbledhja e jashtëzakonshme për mocionin e shkarkimit të kryetarit Goga, vendim i cili është hedhur poshtë nga ky i fundit me pretendimin se duhet të ishte njoftuar 5 ditë më parë për kërkesën e të djathtëve.
Popularity: 1% [?]




