Konflikti për pronën për pak i ka marrë jetën një banori të fshatit Gorishovë të Komunës Cakran në Rrethin e Fierit. Ai është goditur me mjete të forta nga një bashkëfshatar i tij, i cili tashmë është prangosur nën akuzën e plagosjes së rëndë me dashje. Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë Fier bëjnë të ditur se uniformat blu të seksioni të krimit kanë arrestuar në kushtet e flagrancës Luan Lamçen, lindur dhe banues në fshatin Gorishovë. Të njëjtat burime saktësojnë se ndalimi i Lamçes është bërë pasi mbrëmjen e së martës ka plagosur me mjete të forta një bashkëfshatarin e tij. Luan Lamçe, pasi ka debatuar edhe herë të tjera me shtetasin Qerim Sulaj për një çështje pronësie, i ka zënë pritë këtij të fundit teksa kthehej për në shtëpi. Pas grindjes me fjalë, Lamçe e ka goditur me levë në kokë dhe shpatull. Në këtë kohë kanë ndërhyrë bashkëfshatarë të tjerë, të cilët kanë mundur t’i ndajnë dy burrat dhe ta dërgojnë të plagosurin drejt spitalit rajonal të Fierit. Ndërkaq agjentët e policisë kanë arrestuar autorin menjëherë sapo i janë afruar vendit të ngjarjes. Materialet i kaluan prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme.
Popularity: 2% [?]




