Temperaturat e larta rikthejnë vejushën e zezë. Vetëm gjatë pesë ditëve, në spitalin e Fierit janë shtruar gjashtë persona të pickuar nga merimanga e rrezikshme. “Dy nga pacientët janë nga Topoja, dy nga Bishani dhe dy të tjerë nga Libofsha”, thotë mjeku toksikolog, Kilo Stoja. Sipas tij, pacientët janë kryesisht bujq, por nuk janë përjashtuar dhe rastet kur merimanga ka sulmuar pranë banesave. Sipas mjekut, një pacient nga Libofsha ka qenë duke shkundur bishtajat e fasuleve kur është pickuar në dorë. Mjekët shprehen se merimangat e zeza po shfaqen më herët këtë vit. Vitet e kaluara, vejusha e zezë është shfaqur në fund të muajit korrik. Ndërkaq mjekët kanë tërhequr vëmendjen, sidomos të fermerëve, që të tregohen të kujdesshëm gjatë këtyre ditëve. “Bujqit duhet të pajisen me mjete mbrojtëse dhe të mbulojnë çdo pjesë të trupit me rroba për të mënjanuar pickimin e merimangës apo të ndonjë insekti tjetër të rrezikshëm”, tha Kilo Stoja.
Popularity: 1% [?]




