Kategoria | Aktualitet

Etiketat : , , ,

Vrasja e “iriqit”, për larje hesapesh

Policia shoqëron mbi 20 persona për masakrimin e 29-vjeçarit. Dyshohet se kanë qenë dy autorë. Policia dhe Prokuroria e Lushnjës ende nuk kanë emra konkretë për vrasjen e Gerti Lalës, i njohur si “iriqi” në kohën kur ishte rekrutuar në bandën e Aldo Bares. Burime nga organi i akuzës së Lushnjës pohojnë se për momentin janë shoqëruar 20 persona për ngjarjen që tronditi mesnatën e së enjtes qytetin e Lushnjës. Ndonëse ende nuk ka emra autorësh për këtë ekzekutim, ajo që shpreh policia lokale lidhet me faktin e vijimit të hetimeve në mënyrë intensive. Pista kryesore ku është përqendruar grupi i hetimit ngritur për këtë vrasje është ajo e përfshirjes së viktimës në Bandën e Lushnjës dhe roli i tij, ndërkohë që banda dhe shumica e anëtarëve të saj janë në proces gjykimi.

Burime të gazetës brenda grupit të hetimit pohojnë se pas ekstradimit të Aldo Bares, “iriqi” është marrë disa herë në pyetje nga struktura e krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, nga varet edhe Komisariati i Lushnjës. Kreu i kësaj strukture, Zigur Bizha, njeh më së miri veprimtarinë e bandës, pasi ai ka dokumentuar dosjen e kësaj organizate kriminale, dokumentim që është bërë duke u bazuar te dëshmitë e të gjithë të arrestuarve, përfshi këtu të penduarit, autorët deri dhe numrin e madh të dëshmitarëve të këtij procesi gjyqësor. Nuk bëhet e ditur se për çfarë arsye është pyetur Gerti Lala, por dyshohet se vrasja e tij, në një kohë kur policia është ende duke dokumentuar episode të rënda të pazbardhura me autor të dyshuar të bandës, çon autoritetet e grupit të hetimit për të menduar se ekzekutimi ka ardhur për “larje hesapesh”.
Që prej mesnatës së të enjtes, kur ndodhi masakrimi i 29-vjeçarit Gerti Lala dhe deri mesditën e së shtunës, janë shoqëruar nga policia mbi 20 persona. Ata janë marrë në pyetje, por ende mes tyre nuk ka emra autorësh. Sipas burimeve nga prokuroria mësohet se mes të shoqëruarve ka edhe persona të njohur të botës së krimit. Disa nga të shoqëruarit janë hetuar edhe me metoda speciale dhe nuk janë lënë të lirë për shumë orë. Nga rindërtimi i skenës së vrasjes, grupi i hetimit deklaron se “iriqi” mund të jetë ekzekutuar nga dy persona. Ata e kanë pritur viktimën në rrugën pranë pallatit dhe pasi e kanë masakruar fillimisht me thika e më pas qëlluar me armë, janë larguar në këmbë nga rruga në mes të lagjes. Po ashtu burime nga prokuroria thonë se janë zbuluar dy detaje të reja të ngjarjes, por që nuk bëhen të ditura për arsye hetimi. Ata pretendojnë se ato janë një armë e fortë në dorën e grupit të hetimit, që mund të çojnë brenda pak orësh në zbardhjen e emrave të autorëve. Këmbëngulet se pista më bindëse mbetet ajo e përfshirjes në bandën e Aldo Bares, si dhe dëshmitë e dhëna së fundmi prej tij për policinë, ndërkohë që nuk është përjashtuar edhe si pistë e dytë ndonjë grindje banale.

Popularity: 1% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com