Tjetër varr masiv që i përket periudhës komuniste. Viktimat mendohet se janë ish-të burgosur të burgut të këtij qyteti
Një tjetër varr masiv është gjetur këtë herë në Mallakastër, ku janë gjetur 80 eshtra viktimash, të cilët mendohet se u përkasin personave të ekzekutuar me ose pa gjyq, por edhe ish-të burgosur në burgun e Ballshit, që mund të kenë vdekur gjatë torturave atje. Ka qenë një iniciativë e deputetit të PD-së Enkelejd Alibeaj, asokohe ministër i Drejtësisë, i cili ka qenë në kërkim të eshtrave të gjyshit të tij, Bektash Alibeaj. Data e gjetjes së eshtrave e ka zanafillën në fillim të marsit, por u bë publike vetëm ditën e djeshme, nga kryetari i Institutit të ish- të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka. Janë plot 80 viktima në kufirin që ndan fshatrat Usonjë dhe Kalenjë, të cilët prej më shumë se një muaji i janë nënshtruar ekspertizës, për të gjetur identitetin e tyre dhe kohën kur janë ekzekutuar. Kryetari i Institutit për të Përndjekurit Politikë, shprehet se përbri kufomave janë gjetur dhe shishe me copa letrash, që mbanin shkruar emrin e gjithsecilit prej tyre. Lajmi për gjetjen e tyre konfirmohet dhe nga burime të Ministrisë së Brendshme, të cilët nuk japin më shumë detaje, për shkak të verifikimit që po i bëhet kufomave dhe për të mos pasur më pas keqkuptime me familjarët. Gjithsesi, të njëjtat burime shprehen se nuk përjashtohet mundësia që në këtë zonë të ketë dhe të tjera kufoma, të ekzekutuara apo të vdekura në burgun e Ballshit, i cili njihej për torturat çnjerëzore përgjatë periudhës së diktaturës.
Burgu i Ballshit
Burimet shprehen se prej kohësh dyshohej për një varr masiv në këtë zonë, por nuk kishte të dhëna të sakta për vendndodhjen e tyre. Fakti që në afërsi të zonës ku u gjetën trupat ka ekzistuar dhe burgu famëkeq i Ballshit (për torturat në këtë burg ka dhe dorëshkrime të shumta nga ata që kanë vuajtur në të, mjafton të përmendet ditari i at Zef Pllumit apo shkrimet e ish-deputetit të PD-së, Pjetër Arbnori), si dhe dëshmitë e banorëve të zonës, kanë çuar në zbulimin e tij. Kufomat mendohet se u përkasin viteve të para të çlirimit, por nuk përjashtohet mundësia që në këtë vend të jenë kryer pushkatime deri në një periudhë të mëvonshme. Gjithsesi, fjala e fundit do t’u mbetet specialistëve, të cilët do të përcaktojnë kohën dhe mënyrën e ekzekutimit të tyre.
Rasti i dytë
Ky është rasti i dytë brenda pak muajsh që gjenden varre masive që i përkasin kohës së diktaturës. Rasti i parë ishte ai i muajit shkurt, ku u gjetën eshtrat e 13 viktimave në periferi të Tiranës, të ekzekutuar gjatë periudhës komuniste. Nisur nga kjo, Qeveria ngriti një task forcë për kërkimin e personave të pushkatuar gjatë asaj periudhe. Mendohet se numri i të pushkatuarve gjatë periudhës komuniste i kalon shifrat e 6 mijë personave, ndërkohë që shumë pak prej tyre kanë arritur të gjenden. Kjo për faktin se ishte në politikën e diktaturës që të mos linte harta të vendndodhjes se ku ishin varrosur viktimat.
Shefi i komisariatit
Punëtorët e uzinës na lajmëruan për varrin
Pas varrit masiv pranë repartit ushtarak të Dajtit, ku u gjetën eshtra dhe kufomave që u përkasin të dënuarve politikë, një tjetër varr masiv është në prag të zbulimit të tij për të nxjerrë në pah mizoritë e diktaturës. Bëhet fjalë për një varr masiv të të dënuarve politikë të burgut të Ballshit, të cilët, sipas dëshmitarëve pleq të asaj kohe, pasi vdisnin dhe nuk u kishte mbaruar afati i burgimit, trupat e tyre nuk u ktheheshin familjarëve, por varroseshin ose thjesht hidheshin në një gropë masive, ku pas disa ditësh ose muajsh hidhej një tjetër trup i pajetë. Ky varr masiv është duke u zbuluar në afërsi të Ballshit, pranë fshatit Metoh, 500 m larg varrezave publike të fshatit Metoh, pranë të cilit kalon edhe një përrua. Lajmi bëhet zyrtar nga shefi i komisariatit të policisë Mallakastër, Hasan Hasanaj, i cili natyrisht nuk mund të flasë ende me gjuhën e specialistit për të përcaktuar saktë numrin e personave apo më saktë skeleteve, por është në dijeni të këtij varri. Në një intervistë telefonike, shefi i komisariatit të Mallakastrës, i cili ka qenë në vendngjarje së bashku me ekspertë të Ministrisë së Brendshme, pohon se pas disa ditësh ndoshta do të japë një intervistë më zyrtare dhe një lajm më të detajuar rreth kësaj ngjarjeje të pazakontë.
Z. Hasanaj, mund të na thoni, ju lutem, çfarë dini ju për zbulimin e këtij varri masiv?
Nuk mund të thuhet ende një varr masiv, pasi thjesht asgjë nuk është zbuluar ende dhe asnjë skelet nuk është parë ose nxjerrë nga nëntoka. E vërteta është se para 3 javësh, një ekip nga Ministria e Brendshme, me skica të vendndodhjes dhe me harta toponimike në duar, kanë ardhur në komisariatin e policisë së Ballshit dhe me ndihmën tonë kemi shkuar drejt vendndodhjes së menduar. Në fakt, qysh me ndërtimin e uzinës së përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, rrethi viteve 1970-1975, përflitej se të dënuarit politikë që vdisnin në qeli nuk u jepeshin familjarëve pa kryer tërësisht dënimin, por vetëm sa lajmëroheshin për vdekjen e tyre. Ata varroseshin në afërsi të fshatit Metoh, mbi uzinën, rreth 500 m larg varreve publike të këtij fshati, buzë një përroi. Ne shkuam në vendngjarje, sipas edhe dëshmive të 2-3 ish-punëtorëve të uzinës nga ky fshat, tashmë pleq, të cilët ishin në dijeni për ngjarjen e trishtë.
Po tani çdo të bëhet për përcaktimin e këtij varri masiv?
Tani pritet ekipi i punëtorëve varrmihës, të cilët do të bëjnë të mundur hapjen e këtyre varreve dhe nxjerrjen e eshtrave, për të përcaktuar mirë dhe ndoshta edhe të identifikojnë të dënuarit politikë. Megjithëse do të jetë e vështirë, pasi sipas dëshmive të dëshmitarëve të ngjarjes, ky varr masiv mund të ketë brenda dhjetëra skelete të të burgosurve politikë që vdisnin në intervale të ndryshme kohe brenda në qeli. Varri mbahej gati i hapur në ato vite ‘70-’80, me qëllim që të mos “lodheshin” për të hapur varr të ri pas çdo vdekjeje tek të burgosurit. Në këtë mënyrë ata i hidhnin sipër njëri-tjetrit. Kjo ishte e tmerrshme…
Domethënë deri tani nuk kemi të zbuluar asnjë skelet?
Jo, sepse varri ende nuk është hapur. Priten punëtorët nga Tirana, është përcaktuar vetëm vendndodhja e varrit masiv.
Popularity: 1% [?]




