Kategoria | Flash

Asnjë titull shkollor nuk ka nisur të shpërndahet

Institucioni arsimor akuzon shtëpitë botuese për vonesë në dërgimin e librave
Edhe pse po shënohet mesi i muajit gusht, librat shkollor ende nuk kanë filluar shpërndarjen e tyre te nxënësit. Ndryshe nga ç‘ishte parashikuar që shpërndarja të niste më 1 gusht, në Qarkun e Fierit kjo datë duket se do të jetë e largët. Sipas deklaratës zyrtare që del nga Drejtoria Rajonale Arsimore Fier, faji qëndron te vonesa e Shtëpive Botuese. Mihal Krimçe, specialist në Drejtorinë Rajonale Arsimore Fier, është shprehur se gjithçka pritet të zgjidhet brenda muajit gusht, por specialisti nuk jep ndonjë afat, duke lënë të hapur se zgjidhje, shpërndarja e librit, mund të marrë edhe në ditët e fundit para nisjes së vitit mësimor 2008-2009.

“Drejtoria Rajonale Arsimore Fier problemin e teksteve shkollore e ka problemin më emergjent dhe më të rëndësishëm gjatë kësaj periudhe. Ne jemi në pritje të shtëpive botuese”, ka thënë Krimçe. Ka qenë drejtori i DRA-së Fier, Tahir Kastrati, i cili para dy ditësh ka zhvilluar një mbledhje dhe takim urgjent me drejtorët e shkollave, ku u lanë detyrat për të gjitha shkollat në pritje të ardhjes së tekstit të përzgjedhur alternativ. Nga mbledhja e iniciuar e drejtuar nga kreu i arsimit në Fier është përcaktuar se një mësues në çdo shkollë të qytetit është në pritje të tekstit shkollor. Burimet nga institucioni arsimor i Fierit tregojnë se në pikat e grumbullimit të teksteve janë duke pritur ardhjet e librave nga shtëpitë botuese. Ka qenë DRA Fier, ajo që ka përcaktuar pak ditë më parë edhe pikat nga ku do të nis shpërndarja e librit, e në asnjë prej tyre nuk ka mbërritur ende asnjë titull shkollor. “Kjo mangësi e shtëpive botuese duhet korrigjuar sa më shpejt, sepse e kemi vënë si detyrë që brenda muajit gusht nxënësit të marrin në duar tekstet shkollore dhe të kemi të gjithë infrastrukturën librore”, ka pohuar Tahir Kastrati, kreu i DRA-së Fier, në takimin e zhvilluar dy ditë më parë.

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu