Kategoria | Flash

Etiketat : , , , ,

Berisha: Ende herët të flisja me Nanon për Presidentin, Prifti: Unë e votoj ish-kreun e PS

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se me liderin historik të së majtës Fatos Nano nuk ka diskutuar për çështjet e Presidencës. Pse duhet bërë kjo në një takim privat me Nanon? Çfarë biseduat me të? Pse mendoni se ka interes opinioni të dijë se ju keni takuar ish kryeministrin? A jeni duke i dhënë argumente tezës së kryetarit të PS se ju dhe Nano jeni një?
Absolutisht, jo. Nuk është kurrë e vërtetë që ne jemi një, Fatos Nano është Fatos Nano. Është lideri historik i të majtës shqiptare. Sali Berisha ka udhëhequr dhe vazhdon të udhëheqë jashtë historisë të djathtën shqiptare, kjo nuk ndryshon. Po nuk ndryshon asgjë më nga vendosmëria për të vlerësuar te kundërshtari për të qene objektiv në vlerësimin e tij, këtë e kam bërë me Nanon dhe me Ramën. Kudo e kam thënë, kam bërë reformat më të thella që mund të kem bërë me opozitën shqiptare. I kam bërë me sensin e kompromisit, konsensusit, nuk e mohoj atë. Por vjen një moment historik për vendin, moment kur vendimet e mëdha, dhe opozita në vend që të jetë në krah të këtyre vendimeve, opozita gjendet aty ku nuk duhet të jetë. Nuk është formë vetëm partia. Për Edi Ramën dhe PS sigurisht formë është kritika ndaj Qeverisë dhe kontributi në procesin e integrimit dhe liberalizimin e vizave, përgjigjet e pyetësorit të integrimit të vendit dhe për këto i kanë dyert të hapura për të kontribuar në gjithsecilin prej tyre.
A do jetë Fatos Nano presidenti i ardhshëm i Shqipërisë? Apo folët për zgjedhjet e ardhshme lokale. Ai ka thëne se do të jetë kandidat kundër Rames?
Po më bën një pyetje jashtë çdo lloj konteksti. Absolutisht në atë tryezë nuk është shqipëruar fjala president deri sot. Po, në atë tryezë nuk mund të mos theksoj se ky takim u zhvillua 20 vite pas Triestes. U diskutua për procesin e integrimit dhe unë si një ish-kryeministër e njoha atë me të gjithë brendinë e takimeve të mia në Bruksel, çka ishte shumë normale në këtë moment. Doja të ftoja dhe shefin e opozitës, po ai me qëndrimin që mban i kundërvihet në mënyrën më të hapur. Në momentin që unë takoja presidentin e KE, ata vishnin ferexhe.
Folët për zgjedhjet e ardhshme lokale me zotin Nano?
Unë nuk diskutova për planet personale apo partiake të zotit Nano ato nuk janë çështje diskutimi mes nesh. Diskutova për perspektivën evropiane të Shqipërisë.
Do e mbështesni kandidaturën e zotit Nano për zgjedhje apo presidence?
Unë jam një ish president. Lëndohem shumë kur gazetarët fillojnë diskutimet për kandidatin e Presidentit dy apo tre vjet para. Nuk është as etike, nuk i shërben as dhe një institucioni të nderuar qendror për vendin që është Presidenca. Nuk kam ndërmend të bëj as dhe diskutimin më të vogël, unë jam ish president. Nuk më lejohet mua të fillojë diskutimet apo premtime para datës kushtetuese të fillimit të procesit të zgjedhjes së presidentit.
Do futeni në zgjedhje të vetëm?
Problemi im është të krijoj kushte përzgjedhjeje. Marrin apo s’marrin pjesë në zgjedhje këtë e përcakton çdo forcë politike në qëndrimin e saj. Unë kam për detyrë të krijoj të gjitha kushtet ligjore siç bëra më 28 qershor.
Kur mendoni se duhen bërë zgjedhje të parakohshme?
Kushtetuta ka të gjithë përcaktimet e veta. Gjer sot ky është koalicioni më funksionues. Kjo është qeverisja me e konsoliduar. Në historinë e vendit nuk ka pasur kurrë një intensitet reformash siç ka pasur këto 8 muaj. Nuk kemi regjistruar kurrë rezultate të lakmueshme sa këto 8 muaj. Është kjo qeverisje që bëri që ekonomia shqiptare e vendosur në binarë të shëndoshë këto tre muaj të fillojë një ngjitje.
Po përgatiteni për zgjedhje lokale?
Ku ta gjej Ramën unë? Nuk keni marrë vesh ju që të gjitha këto i bën për të mos kandiduar. Uroj të kandidojë se do gjeja jo një po dy kandidatë. Po druaj se e gjitha kjo që po ndodh, po perifrazoj, një mik të shquar të PS në një forum. Tha: Fjala është për kutitë, po thelbi është për 2011, për zgjedhje që s’duan të marrin pjesë. Unë uroj të jetë i gabuar miku i Ramës.
Keni një emër për Tiranën?
Si s’kemi ne emër për Tiranën. Do të përcaktohet për emra, kemi emra personalitetesh, i ofrojmë Tiranës program dhe kandidat, ne jemi të bindur se koalicioni me LSI-në për Tiranën do e fitojë.
Opozita tha se ajo do të protestojë dhe në 1 maj ditën kur ju keni deklaruar një miting të madh festiv për të nderuar punën. Ç’do të ndodhë, do të jenë të dyja palët në bulevard njëra ne feste e tjetra në protestë?
Rrugët dhe sheshet e Tiranës mjaftojnë dy herë për opozitën dhe dy herë për Qeverinë. Secili në mënyrën e tij për 1 maj. Ne kemi vendosur, i ofrojmë koncert dhe kaq.
Kur do rinovohen strukturat e PD?
Së shpejti do bëhen votimet, forumet janë. E dyta, rëndësi të madhe ka shumë, sepse në katër vitet e para PD qeverisi dhe u kuotua nga shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar. Një grup i tërë u përgatit dhe ai grup sot është i shpërndarë në kabinete dhe Parlament. Të tjerë janë duke ardhur në horizont. Dhe unë këtë e konsideroj shumë të rëndësishme.
Do të ndahen postet partiake nga ato qeveritare?
Do ndahen e s’do ndahen. A do jemi përfundimtar me këtë parim? Edhe mund të jemi. Do jetë çështje e Këshillit Kombëtar. Nëse Këshilli Kombëtar vendos për ndarjen e tyre, do ndahen. Sepse unë nuk mund të them se ky post e bën vetëm filani dhe askush tjetër, nuk e pranoj. Ne në garë ecim me disa kandidatura, dhe kurrë me një kandidaturë.
Ju për kë variant jeni?
Më mirë të mos ndikoj te anëtarësia e Këshillit, të bëj diskutim për të dy variantet dhe të vendosë. Nuk mund të them se varianti që ekziston ishte i dështuar, ky variant u kurorëzua me fitore. Le të ketë debat.
A ka mendim ndryshe brenda PD-së?
Unë mendoj se PD ka dëshmuar forcën më të madhe të rinovimit bazuar në meritën dhe po të vështrosh mbi të do gjesh një tërësi personalitetesh të cilët janë afruar njëri me tjetrin jo për shkak të një përkatësie të dikurshme, jo për shkak të një krahine, për asnjë shkak tjetër përveç të besimit të një programi të caktuar dhe vlerave të përbashkëta të kësaj. Për ta mbyll këtë se në aspektin e burimit njerëzor, PD sot është në kuotat më të larta në historinë e saj.
Opozita thotë se jeni një lider autoritar…
Midis një lideri normal dhe një lideri të dobët, cilin do zgjidhje? Një lider i dobët për çfarë do të duhej? Një lider hamletian që vërtitet gjithë ditën me alternativën të bëj apo mos bëj, të vendos apo mos vendos, ishte në vendin e gabuar. Unë jam një lider vendimmarrës këtë nuk e mohoj, jeta ime ka qenë vendime.
Si e konsideroni bashkëpunimin me zotin Meta?
Meta dhe LSI solli vlera reale në këtë qeverisje. Mendoj se bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë. Dua t’iu siguroj një gjë që Sali Berisha, dhe mund t’iu vijë çudi, nuk bën asnjë dallim ndaj atij ministri që i përket PD dhe ministrit që i përket LSI apo ministrave që u përkisnin partive të tjera, dhe unë këtë e kam dëshmuar. Unë punoj në ekip, jeta ime ka qenë punë ekip.
Do e formatoni Qeverinë?
Nuk ka asnjë shkak për ndryshime në kabinet, po funksionon normalisht.
Cili është vlerësimi juaj për punën e Prokurorisë?
Vlerësimi im në tërësi është pozitiv. Sot në Shqipëri ka një trupë të Gjykatës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda që bëjnë një punë të admirueshme dhe unë kam pasur këtë admirim dhe kur kam qenë opozitë ndaj tyre. Sepse këta burra dhe gra, punojnë me një përkushtim të madh, me një guxim të madh dhe në fusha më delikate. Ka një task-force, në kryeqytet e cila hapi një kapitull të ri në historinë e luftës kundër korrupsionit në këtë vend pavarësisht nga simetrizmi i kësaj lufte po unë e përshëndes. Ndihem i rënduar nga sulmi frontal që i bëhet këtij sistemi apo gjykatave. Ka gjykatës dhe prokurorë të ndershëm të përkushtuar. Është e vërtetë që kanë pasur problem serioz, dhe problem serioz ishte se ekzistonte imuniteti në sistemin e tyre ndaj dhunuesve të ligjit, por ka filluar, sot ka gjykatës të arrestuar, prokurorë të arrestuar.

Prifti: Votoj Nanon për President
Nëse maxhoranca e djathtë do të propozonte liderin e së majtës Fatos Nano për të qenë President i Republikës, ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti do të votonte pro tij. Deklarata e ministrit të LSI-së u pohua mbrëmë gjatë emisionit “Ora e Intervistës” nga gazetari Alfred Peza në Ora News. Në lidhje me takimin Nano-Berisha në Vjenë, Prifti tha se: “Ishte një takim normal mes dy personaliteteve politike të këtij vendi. Nano është i ri, akoma nuk ka mbushur 55 vjeë dhe mund të japë kontribute të tjera në politikë shqiptare”. Prifti tha se nëse maxhoranca, pra PD dhe LSI do ta propozjnë Nanon si një kandidaturë të përbahskët për President, edhe ai do të votonte pro kandidaturës së tij. “Nëse maxhoranca dhe LSI e voton, edhe unë do votoj për Nanon President”, tha Prifti. Deputeti i LSI-së në zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2007 shkoi në Kuvend për të votuar kundër kandidaturës së Fatos Nanos për President, por tashmë ai deklaron se marrëdhëniet e tij me liderin e së majtës janë normale. “Tani janë normale dhe i kemi lënë pas probleme e së shkuarës. Jam takuar me zotin Nano para rreth 10 ditësh në Tiranë”, shtoi Prifti.

Popularity: 1% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com