Një zjarr i rënë dje në mesditë në fshatin Usojë, vetëm 1 km në juglindje të Ballshit, ka rrezikuar djegien e dhjetëra banesave, si dhe depozitat e naftës në ndërmarrjen e dekantimit, që ndodhet në këtë fshat. Zjarrfikësit e Ballshit thanë se zjarri është sinjalizuar rreth orës 11:00 në një sipërfaqe me shkurre. Në vendngjarje ka shkuar menjëherë një mjet zjarrfikës, që nuk ka mundur të vërë nën kontroll flakët. Zjarrfikësit kanë kërkuar përforcime dhe vetëm me mjetet e ardhura nga Fieri dhe Patosi është bërë e mundur që rreth orës 16:30 flakët të vihen nën kontroll, pa arritur depozitat e naftës dhe pa dëmtuar shtëpitë e fshatarëve të zonës. Ndërsa në orët e mbrëmjes, një vatër e madhe zjarri është shfaqur në fshatin Lapulec, në veri të Ballshit, ku sipas të dhënave paraprake janë djegur qindra rrënjë ullinj.




