Kategoria | Flash

Etiketat : , , , ,

E diel e përgjakur, 11 të plagosur në 2 aksidente

Ngjarjet rrugore, gjatë orëve të para të ditës së djeshme në Fier dhe Peqin

E diel e përgjakur në akset nacionale të vendit. 11 të plagosur ka qenë bilanci i 2 aksidenteve të ndodhura dje, gjatë orëve të parë të ditës, në autostradën Fier-Vlorë dhe Elbasan-Peqin. Ngjarja e parë rrugore ka ndodhur rreth orës 05:00 të së dielës, kur në aksin rrugor Fier–Vlorë, në vendin e quajtur Ferras, dy automjete janë përplasur me pasojë plagosjen e gjashtë personave. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se automjeti tip “Benz” me targa FR 50-51B, që drejtohej nga 51-vjeçari Ilir.M., është përplasur me një automjet tjetër po tip “Benz” me targa VL 23-92 A, që po lëvizte në drejtim të Vlorës. Në automjetin me targa të Fierit ndodheshin vetëm drejtuesi me bashkëshorten, L.M., 45 vjeçe, ndërsa në mjetin e Vlorës ndodheshin katër persona, mes tyre një çift të moshuarish. Mjetet janë përplasur duke shkaktuar plagosjen rëndë të të dyja çifteve të bashkëshortëve nga Fieri dhe Vlora. Për pasojë fierakët L.M, 45 vjeçe, dhe Ilir. M, 51 vjeç, si dhe çifti i të moshuarve nga Vlora me inicialet M.N dhe T.N, përkatësisht 65 dhe 70 vjeç, janë çuar me urgjencë në spitalin e Fierit, ku i janë nënshtruar ndërhyrjes mjekësore. Gjendja e tyre shëndetësore vazhdon të jetë e rëndë, si pasojë e plagëve të shumta, që kanë marrë në momentin e përplasjes, ndërkohë që dy personat e tjerë pasagjerë në mjetin me targa të Vlorës, fatmirësisht kanë marrë vetëm disa plagë të lehta. Sipas policisë rrugore, aksidenti është shkaktuar si rezultat i shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, duke tejkaluar shpejtësinë e lejuar, por ende nuk ka një konstatim zyrtar për përcaktimin e shkakut të aksidentit. Ekspertët e policisë rrugore po punojnë për dokumentin e plotë të ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë të shkaktarit. Ndërkohë një tjetër aksident i rëndë me pasojë plagosjen e pesë personave, ka ndodhur dje në mesditë në aksin rrugor Elbasan–Peqin, në vendin e quajtur “Unaza e Peqinit”. Burime të Komisariatit të Policisë Peqin bëjnë të ditur se një automjet tip “Skoda” me targa të huaja BA 404 TA, është përplasur me një mjet tip “Benz” me targë CD 289RB. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar: Erlin Xhafa, 16 vjeç, Hekuran Shkëmbi, 32 vjeç, Redion Xhafa, 14 vjeç, Eva Xhafa, 18 vjeç dhe Andi Xhafa, 22 vjeç. Menjëherë pas përplasjes, të dëmtuarit janë dërguar me urgjencë për në spitalin kirurgjikal të Elbasanit, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Sipas policisë lokale mësohet se shkak i aksidentit është bërë lëvizja e gabuar e drejtuesit të mjetit tip “Benz”, i cili ka lëvizur në kah të kundërt të rrugës. Ndërsa policia vazhdon hetimet për dokumentin e plotë të ngjarjes rrugore, burimet spitalore konfirmojnë se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

Popularity: 3% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com