Kategoria | Flash

Energjia, kufizimet prekin edhe spitalet

Bllokohet aktiviteti i të gjitha institucioneve në Fier. OSSH nuk njofton për oraret.
Qyteti i Fierit po përballet prej katër ditësh me kufizime të energjisë elektrike, ndërkohë që gjatë ditës së premte energjia ka munguar për më shumë se 12 orë në pothuaj të gjithë qytetin dhe fshatrat pranë tij. Nuk janë toleruar nga shkëputja e energjisë elektrike edhe institucione të rëndësisë së veçantë, si spitalet dhe furrat e bukës. Situata ka mbetur problematike edhe gjatë fundjavës. Për tri ditë me radhë, në spitalin rajonal të Fierit, janë ndërprerë dritat në të dyja linjat nga furnizohet ai. Sipas mjekëve, mësohet se asnjë nga aparaturat mjekësore që funksionon me energji elektrike nuk ka punuar. “Skopia, grafia, ekoja, e të tjera aparatura nuk kanë qenë në shërbim të pacientëve të spitalit vetëm për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Furnizimi është ndërprerë nga ora tetë e mëngjesit deri në mbrëmje”, tha një mjek i spitalit të Fierit. Për disa orë, drejtuesit e spitalit kanë ndezur gjeneratorin, i cili ka shërbyer për rastet më emergjente, ndërkohë që kanë nisur një letër-ankesë drejt Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë (OSSH) në Fier. Ky institucion nuk ka njoftuar në lidhje me nisjen e kufizimeve të energjisë apo dhe me ndonjë ndërhyrje në rrjet, që do të çonte në ndërprerje të energjisë. Ndërkohë, edhe Bashkia e Fierit, Drejtoria e Policisë së Qarkut, Prefektura, si dhe e gjithë zona industriale, ku janë vendosur edhe furrat e bukës kanë tri ditë që po përballen me kufizime të gjata të energjisë. Qendra e Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve, e cila është vendosur në ambientet e Bashkisë së Fierit, ka bllokuar gjithashtu punën nga e mërkura deri të premten, duke u përballur me një situatë kaotike. Kjo qendër nuk ka mundur të kryejë procedurat e regjistrimit për shumë përfaqësues të bizneseve që vijnë nga qytete të tjera të Jugut të vendit. Agron Dyrmishi, kreu i QKR-së në Fier, thotë “që nga e mërkura, energjia ikën rreth orës 08:00 ose 09:00 dhe nuk vjen deri në orën 16:00 sa përfundon orari zyrtar”. Në QKR-në e Fierit, sipas Dyrmishit, drejtohen edhe bizneset e qyteteve dhe rretheve të tjera të Jugut të vendit, e për rrjedhojë këto ditë përfaqësuesit e këtyre biznese kanë pritur energjinë elektrike për shërbimin e tyre dhe me të drejtë janë irrituar. “Ne i jemi drejtuar bashkisë, si dhe drejtuesve të OSSH-së këtu në Fier, por asnjë sqarim nuk ka ardhur. Ndërkohë nuk ka asnjë shpjegim për përfaqësuesit e bizneseve që vijnë nga Vlora apo nga Gjirokastra”, thotë kreu i QKR-së së Fierit, Agron Dyrmishi. Ndërkohë furrat e bukës kanë punuar në orët e natës dhe kanë nxjerrë prodhim më të ulet tri ditët e fundit. Seksioni i pasaportave në drejtorinë e policisë së qarkut ka punuar vetëm me gjenerator gjatë ditës, për të prodhuar pasaportat për t‘u ardhur në ndihmë vetëm rasteve emergjente dhe emigrantëve të shumtë. Nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në Fier nuk është dhënë asnjë njoftim për ndërprerjen e energjisë. Kreu i kësaj strukture, Arqile Kume, si dhe drejtori i njësisë së shpërndarjes, Leonard Osmënaj, kanë thënë se një pjesë e madhe e rrjetit shpërndarës të Fierit po i nënshtrohet remontit, ndërkohë që nuk kanë dashur të pranojnë kthimin e kufizimit të energjisë. Burime nga OSSH-ja e Fierit pohojnë faktin se një urdhër i brendshëm ka ardhur në fillim të muajit gusht nga qendra në Tiranë, për aplikimin e kufizimeve të energjisë deri në një periudhë të pacaktuar.

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu