Fier- Drejtoria Rajonale e Mirëmbajtjes së rrugëve Fier ka ndëshkuar disa nga firmat e ndërtimit që kanë marrë akset nacionale të qarkut me sipërmarrje. Forma e ndëshkimit ka qenë bllokimi i xhirimit të fondeve për to dhe shkak është bërë mosndërhyrja e firmave në përmirësimin e situatës së rrugëve.
Janë 12 firma ndërtimi që kanë lidhur kontratë me Drejtorinë e Rrugëve dhe në bazë të kontratës duhet të përgjigjen për një infrastrukturë të vlerësueshme të akseve që kanë me sipërmarrje. Sipas drejtorit Moxar Çela, ndëshkimi është marrë nga ana e drejtorisë, që është edhe supervizori i firmave ndërtuese dhe vjen si shkak i mosrealizimit të mirëmbajtjes së rrugëve sipas kushteve të parashikuara dhe përcaktuara në kontratë. Në të njëjtën kohë, si rezultat i gjendjes së mjerueshme të rrugëve ka nisur mirëmbajtja e tyre nga vetë drejtoria. “Është intensifikuar puna në ato akse kombëtare që janë braktisur për nga mirëmbajtja prej firmave që i kanë marrë me sipërmarrje. Po ashtu puna lidhet edhe me faktin se ka nisur tashmë sezoni turistik. Janë akset turistike Fier-Vlorë dhe Fier-Seman ato që po mirëmbahen nga ne dhe puna në to do të vazhdojë me ritme të larta deri në fund të sezonit”, ka thënë drejtori Çela. Rreth 40% e vlerave mujore që janë ndërprerë për firmat është përdorur nga vetë Drejtoria e Mirëmbajtjes së rrugës nacionale për akset e braktisura.
Fondi për ndërmarrjen cilësohet i ulët krahasuar me nevojat dhe problematikën që paraqesin sot rrugët kombëtare, si ato drejt Beratit, Ballshit, Vlorës etj. “Si pasojë e dimrit të shkuar me reshje të vazhdueshme dhe një dimri të karakterizuar nga lagështira, shumë rrugë paraqesin situatë të rënduar për nga infrastruktura. Për këto rrugë të dëmtuara nuk ka ndonjë investim për momentin. Këto vazhdohen të mirëmbahen me atë fond të limituar që është përcaktuar në fillim të vitit”, ka pohuar drejtori.
Popularity: 1% [?]




