Ylli Zeqaj u masakrua me thikë. Policia arreston ish-gruan dhe djalin 16 vjeç
Një 48-vjeçar nga Fieri është gjetur i masakruar në banesën e tij, ndërkohë që policia ka arrestuar djalin dhe ish-bashkëshorten e tij, të cilët dyshohet se kanë kryer krimin brenda familjes. Viktima, Ylli Zeqaj, është gjetur nga njëri prej djemve mes pellgut të gjakut në banesën e tij në lagjen “Apolonia” të këtij qyteti. 48-vjeçari kishte rreth një vit që ishte divorcuar nga bashkëshortja, me të cilën kishte dy djem.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë është konstatuar dje, rreth orës 10.30, ndërsa dyshohet se Ylli Zeqaj është vrarë dy ditë më parë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se 48-vjeçari është gjetur nga i biri, Mariusi, i shtrirë në dysheme, mes një pellgu gjaku. Ai ndodhej në një nga dhomat e shtëpisë dhe nuk shfaqte shenja jete. I biri, i trembur nga skena që ka parë, ka vrapuar në lagjen “Kastriot”, ku banonte gjyshja e tij dhe mes lotëve ka treguar se çfarë kishte parë në shtëpi. Menjëherë drejt banesës së Zeqajt kanë rendur të afërmit, të cilët kanë lajmëruar policinë. Drejt vendit të ngjarjes janë nisur dy automjete të patrullës së përgjithshme të Policisë së Fierit. Uniformat blu kanë bërë ekspertizën dhe trupi i pajetë është dërguar për në morgun e spitalit rajonal të qytetit për t’iu nënshtruar autopsisë.
Hetimet
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se 48-vjeçari ka gjetur vdekjen si pasojë e tetë plagëve të thella që dyshohet se janë shkaktuar nga një thikë e gjatë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, 48-vjeçari është masakruar disa ditë më parë dhe trupi është gjetur rastësisht nga i biri. Grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje e përqendroi punën te dyshimet për një krim brenda familjes dhe vetëm disa orë pas zbulimit të kufomës arriti të siguronte prova e fakte që tregojnë se vrasja është bërë nga ish-bashkëshortja dhe nga djali 16 vjeç i viktimës.
Hetuesit mësuan nga të afërmit se viktima ka pasur gjatë gjithë kohës grindje me ish-bashkëshorten. Ai prej disa kohësh kishte nxjerrë në shitje shtëpinë dhe ky vendim nuk është mirëpritur nga ish-gruaja, e cila kishte të drejta pronësie. Pas divorcit, ajo banonte në lagjen “1 Maji” të Fierit, bashkë me dy djemtë. Tri ditë më parë viktima kishte komunikuar me ish-gruan, e cila i kishte telefonuar sapo kishte marrë vesh se 48-vjeçari po bënte një ndarje me mur në njërën prej dhomave të shtëpisë.
Pas një pune intensive hetimore, policia arrestoi si të dyshuar për vrasjen Luljeta Zeqajn, 45 vjeçe dhe djalin e saj, A.Zeqaj. Sipas burimeve zyrtare të policisë, nënë e bir kanë kryer në bashkëpunim vrasjen e Ylli Zeqajt të premten më 23 korrik, pas një sherri që lidhej me pronësinë e banesës.
Popularity: 2% [?]




