Fier, pritet të prishen 200 ndërtime në zonën turistike. Policia Pyjore e Fierit do të ndërmarrë një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje në pyjet përgjatë bregdetit. Janë mbi 200 objekte pa leje, që priten të shemben gjatë ditëve në vijim. Por policia pyjore ka deklaruar se është e pafuqishme për të ndërmarrë vetëm aksionin, ndaj ka kërkuar mbështetjen e policisë së rendit dhe autoriteteve të tjera shtetërore.
Fenomeni i pushtimit të fondit pyjor nga ndërtimet pa leje është më evident në plazhet e populluara. Një i tillë është edhe ai i Darëzezës në Rrethin e Fierit. Sipas burimeve zyrtare të policisë pyjore, në fondin me pyje të këtij plazhi janë evidentuar me dhjetëra ndërtime pa leje. Shefi i Policisë Pyjore pranë Ndërmarrjes së Pyjeve Fier, Nikollaq Zisi, deklaron se edhe pse më parë janë shembur ndërtime të tilla, nga kontrollet e dy javëve të fundit ka rezultuar se ka ende një numër të madh ndërtimesh pa leje që cenojnë zonën turistike. “Kemi dy javë që po kryejmë inspektimin e ‘pastërtisë’ së fondit pyjor nga ndërtimet pa leje dhe për momentin jemi përqendruar në Darëzezë. Janë evidentuar me dhjetëra raste ndërtimesh pa leje. Kemi prishur disa prej tyre dhe presim që aksioni të përfundojë brenda disa ditëve”, ka thënë Nikollaq Zisi, shefi i Policisë Pyjore.
Popularity: 1% [?]




