Mbetjet spitalore dhe urbane, burim sëmundjesh për pacientët dhe banorët e zonës
Prej dy vjetësh, kompleksi spitalor i Fierit, ku bëjnë pjesë poliklinika qendrore, spitali rajonal, materniteti, si dhe spitali pediatrik, nuk ka krematorium. Ky i fundit përdorej si vend depozitimi dhe më pas djegieje për të gjitha mbetjet spitalore dhe ato urbane. Zyrtarisht drejtues të grupit spitalor Fier, si dhe përfaqësues sanitarë të kompleksit spitalor, pohojnë për gazetën “Shqip” se krematoriumi nuk funksionon prej afro dy vjetësh. Mësohet se fillimisht ankesat e komunitetit për ndotje të ajrit u bënë shkak për mosfunksionimin e tij, por më pas amortizimi i tij ka penguar rivënien në punë. “Një krematorium me përmasa jo shumë të mëdha është i vendosur pranë spitalit pediatrik të Fierit. Dikur aty mblidheshin mbetjet spitalore të të gjitha spitaleve, të cilat pas depozitimit, digjeshin. Prej dy vjetësh, nuk po veprohet më në këtë mënyrë. Tashmë, të gjitha plehrat e spitalit, qofshin ato me origjinë nga ndërhyrjet mjekësore, por dhe ato urbane, po hidhen në një shesh prapa njërës prej godinave të grupit spitalor”, shprehen zyrtarisht në drejtorinë e kompleksit spitalor. Dy vjet më parë, më shumë se 40 familje që banojnë pranë spitalit pediatrik, ku ndodhet edhe krematoriumi ekzistues, kanë protestuar dhe kanë kërcënuar për ndërhyrje me forcë, me qëllim ndaljen e funksionit të këtij vendi depozitimi dhe trajtimi plehrash. Bëhet fjalë për banorët e lagjes “1 Maj kodër”, të cilët ankoheshin se kishin ndotje të lartë në mjedis dhe në banesa, si shkak i tymit dhe blozës që lëshohej pas djegieve të mbetjeve spitalore. Me këmbënguljen e tyre, krematoriumi ndali punën dhe u vendos që mbetjet spitalore dhe ato urbane të pacientëve të hidheshin në një sipërfaqe të hapur prapa godinës së spitalit rajonal. Ky vend i përcaktuar si kosh plehrash për të gjitha spitalet, pastrohet shumë rrallë. Vetëm një herë në muaj mund të shikosh makinën e mbledhjes së mbeturinave. Sanitaret e grupit spitalor tregojnë se në këtë shesh të improvizuar për plehrat hedhin edhe mbetjet spitalore: mbetjet nga ndërhyrjet kirurgjikale, shiringat, shishet e serumit pas përdorimit, si dhe e gjithë baza materiale që mbetet pas përdorimit të shumë medikamenteve.
“Bashkë me mbetjet e konsumit të pacientëve, hidhen në këtë shesh edhe mbetjet e reparteve të spitalit, si repartit të kirurgjisë, reanimacionit, infektivit, patologjisë dhe mikrokirurgjisë”, ka thënë një prej sanitareve të spitalit, e cila gjatë së dielës ishte duke hedhur mbetjet e spitalit të maternitetit. Pacientët e katit të parë, shumë pranë vendit të improvizuar si shesh plehrash, ankohen për aromën e keqe që i bashkëshoqëron gjatë gjithë kohës së qëndrimit në spital. Sheshi në fjalë konsiderohet nga autoritetet lokale si një nga burimet më të rrezikshme të ndotjes në qytet dhe aq më shumë të grupit spitalor dhe të komunitetit pranë tij. Në administratën e drejtorisë së grupit spitalor shprehen se është menduar rivënia në punë e krematoriumit, por më parë nevojitet ndërhyrje në gjendjen teknike të tij. Gjithashtu bëhet e ditur se janë dërguar kërkesa pranë Ministrisë së Shëndetësisë për sigurim fondesh që nevojiten për riparimin e krematoriumit, apo dhe zëvendësimin e tij me një tjetër, por ende nuk janë marrë përgjigje konkrete.(Shqip)
Popularity: 2% [?]




