Kategoria | Flash

Trafik heroine në bishtat e thikave

Arrestohet pas pesë muajsh survejim “ustai” i fshehjes së drogës

Seksioni i antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier ka finalizuar me një të arrestuar operacionin e koduar “5 vjet heroinë”. Ndërsa hetimet për të zbuluar anëtarët e tjerë të trafikut janë duke vijuar dhe priten arrestime të tjera, burimet zyrtare të antidrogës pohojnë faktin se 41-vjeçari i arrestuar kishte 5 vjet që punonte si shpërndarës i drogave të forta në disa rrethe të vendit dhe suksesin e tij si shpërndarës e garantonte në gjetjen e formave të sofistikuara për fshehjen e drogës. Së fundmi, ai kishte vendosur të tregtonte thika, në bishtin e të cilave transportonte lehtë edhe heroinën. Policia e Fierit bën të ditur se paraditen e së enjtes, rreth orës 08:00, i ka vënë prangat shtetasit Artan Lako, lindur e banues në qytetin e Fierit. Ai është arrestuar pas pesë muajsh survejim, si dhe pas disa kontrolleve të përsëritura herë pas here, në të cilat policia kishte dështuar. Shefi i antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, tha se “Artan Lako survejohej në të gjitha lëvizjet që kryente që nga muaji janar i këtij viti dhe vetëm paraditen e së enjtes policia ka mundur të gjejë provën që kërkonte: një sasi lënde narkotike të llojit heroinë”. Tre agjentë të antidrogës, që ishin vënë në ndjekje të Lakos, kanë parë se mëngjesin e djeshëm ai po nisej për transportin e radhës. Kështu, në kryqëzimin pranë Shkollës së Muzikës, agjentët e policisë kanë ndaluar automjetin e tij dhe kanë kërkuar që të kryejnë kontroll fizik. Ndalimi u krye vetëm pak metra larg shtëpisë. Gjatë kontrollit fizik ka rezultuar se në pjesën e brendshme të pantallonave, në një xhep special të krijuar nga vetë 41-vjeçari fshihej një sasi pluhuri në ngjyrë bezhë, që ka rezultuar të ishte drogë e llojit heroinë. Pas matjes së saj në mjediset e policisë, ka dalë se sasia e heroinës ishte pak më shumë se 100 gramë. Menjëherë pas kontrollit fizik, policia ushtroi kontroll në banesën e tij, ku gjeti materiale që Lako i përdorte për ndarjen dhe peshimin e drogës. Gjatë kontrollit, 41- vjeçarit Artan Lako i janë gjetur edhe pesë thika me bisht me ngjyrë kafe. Ato janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa deklarohet se në bishtin e thikave qëndronte edhe sekreti i transportit të garantuar të heroinës.

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu