Kategoria | Flash

Ujërat e zeza, epidemi verdhëze në Fier

Minjtë “bëjnë ligjin” në Mbrostar. Kryekomunari: Janë sëmurë 70 për qind e banorëve
“Minjtë në zonën tonë janë bërë më të mëdhenj se macet”. Kryetari i Komunës Mbrostar në Rrethin e Fierit thotë se situata është alarmante në territorin që administron, për shkak të ndotjes së jashtëzakonshme nga ujërat e zeza. Për të ilustruar ndotjen, që ka krijuar një terren të përshtatshëm për minjtë e gjirizeve, kryekomunari Vaip Baçja tregon se një mi ishte aq i madh sa kishte marrë ndër dhëmbë një bukë njëkilogramëshe dhe e kishte çuar në folenë e tij. Kjo ngjarje, sipas tij, ka ndodhur pak ditë më parë në Mbrostar. Komuna e Mbrostarit në Rrethin e Fierit cilësohet si qendra e epidemive që shkaktohen nga uji dhe mjedisi i ndotur. Jo vetëm Drejtoria e Shëndetit Publik në Fier, por edhe kryetari i Komunës Mbrostar, Vaip Baçja, kanë pohuar për gazetën se “mungesa e investimeve në sistemimin e kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza si dhe moskontrolli në ujin e pijshëm e kanë kthyer Komunën e Mbrostarit në qendër të epidemive”. Të 12 muajt e një viti, ujërat e bardha dhe të zeza në territorin e kësaj komune përzihen dhe qëndrojnë të pa thara në prag të shtëpive. Për shkak të mungesës së kanalizimeve, ndotja që shkakton përzierja e tyre ka bërë që mbi 70 për qind e popullsisë së zonës të jetë e prekur nga hepatiti A. Në Drejtorinë e Shëndetit Publik të Fierit, përgjegjësja e Inspektoratit të Higjienës deklaron se shkak i përhapjes së hepatitit A është mjedisi i ndotur. Në Drejtorinë e Shëndetit Publik thonë se u është bërë kërkesë e posaçme krerëve vendorë e qendrorë që të ndërhyhet në mjedisin e fshatrave të komunës. Nga ana tjetër, kryetari i Komunës Mbrostar thotë se “territori i fshatrave të komunës është nën nivelin e lumit që e përshkon atë dhe prej dhjetëra vitesh nuk janë hapur kanalizime të ujërave të zeza”. Baçja shpjegon se “pothuaj të gjithë banorët e zonës janë shtruar në spital ose kanë marrë mjekime në shtëpi si shkak i epidemisë që është shfaqur herë pas here”. Virusi preku në muajin maj pjesën më të madhe të nxënësve të një shkolle në Mbrostar, e cila është e rrethuar nga kolektorë të mëdhenj të ujërave të zeza. Zyrtarisht nga Komuna Mbrostar deklarohet se shkaktari i përhapjes së hepatitit A nuk po gjen zgjidhje, pasi qeveria nuk ka lëshuar asnjë fond për projektin që është paraqitur për sistemimin e ujërave të bardha e të zeza. “Ne i jemi drejtuar qeverisë, si dhe Kryeministrit Sali Berisha gjatë takimeve të zhvilluara me të, por deri më sot asgjë nuk është dhënë. Na është premtuar që shumë shpejt qeveria do të mundësojë një fond të posaçëm, por nuk është lënë një afat për këtë fond”, thotë kreu i komunës, i shqetësuar për situatën e rëndë. Mësohet se fondi për sistemimin e kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza është parashikuar të jetë 100 milionë lekë të vjetra dhe në rast të marrjes së saj, komuna do të ndërhyjë menjëherë. Zgjidhje tjetër që jep kryetari i komunës është lejimi i marrjes së një kredie pranë bankave që operojnë në vend. Sipas tij mësohet se pritet të dalë një urdhër nga Ministria e Financave që të mundësojë aplikimin për kredi të një njësie të pushtetit vendor.

1 Koment(e) Per Kete Postim

  1. lina Thote:

    ajo esht e pakta qe mund te ndoth…ku jemi akoma!!!por te shkretit ata njerez qe vuajn se qeverris nuk i beti von..kur vjen ora per voten vetem kujohet qe ka njerez te gjall andej

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu