Kategoria | Flash

Zbarkon në rrugë struktura e re e policisë së qarkullimit

Fier- Vetëm në dy ditë veprimtari të strukturës së re janë bllokuar 25 mjete për mungesë të theksuar dokumentacioni dhe për të tjera shkelje ligjore

Struktura e re e Policisë Rrugore në Fier ka nisur punën në pika kyçe të rrugëve të qytetit, si kryqëzimi i Vlorës dhe ai Sheqit të Madh në drejtim të Tiranës. Vetëm në dy ditë veprimtari të strukturës së re janë bllokuar 25 mjete për mungesë të theksuar dokumentacioni dhe për të tjera shkelje ligjore.

Policia e Qarkullimit Rrugor jo vetëm në Fier, por në të gjithë vendin tashmë është një strukturë më vete e pavarur, por bashkëpunimi me strukturat e tjera të Policisë së Shtetit do të jetë i ngushtë. Kështu në Qarkun e Fierit, shefi i Komisariatit të Qarkullimit Rrugor, emëruar pak ditë më parë, Artan Osmani, së bashku me efektivët e kësaj policie ka ushtruar kontrolle në pika kyçe ku qarkullimi rrugor është më i theksuar si në kryqëzimin e Vlorës apo në atë të Sheqit të Madh në drejtim të Tiranës, të cilat janë nyje kryesore të lëvizjeve të mjeteve si në jug ashtu dhe në veri të vendit.
Qysh prej dy ditësh, qindra mjete janë kontrolluar nga kjo polici për sa i përket dokumenteve apo gjendjen teknike të tyre gjatë qarkullimit në rrugë. Vetëm për dy ditë, në këtë drejtim janë bllokuar 25 automjete me targa të huaja, të cilat nuk kishin dokumentacionin e duhur. Sipas drejtuesit të Komisariatit të Qarkullimit Rrugor në Qarkun e Fierit, Artan Osmani, qëllimi i këtyre kontrolleve është zbatimi i rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve për të shmangur aksidentet në rrugë, pasi në Fier ato janë të shpeshta.

Sipas Osmanit, ky është një kontroll i përbashkët edhe me patrullat e përgjithshme të Policisë së Shtetit në kuadrin edhe të një plani masash për sezonin turistik, i ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

“Ky aksion, vijon shefi i ri i qarkullimit, ka filluar prej dy ditësh dhe po insiston më shumë në monitorimin e rreptë të superstradave nëpërmjet radarëve që janë vendosur aty për uljen e shpejtësisë, që është dhe shkaku kryesor i burimeve të aksidenteve. Janë bllokuar 25 mjete për mungesë të theksuar dokumentacioni siç janë ato me targa të huaja, që u ka kaluar afati i qëndrimit në Shqipëri e të tjera. Ky aksion, i cili do të vijojë edhe në ditët e ardhshme, do të garantojë sigurinë rrugore në çdo aks të tij, sidomos tani që ka edhe fluks të mjeteve të ardhura nga jashtë apo edhe ato brenda që do të qarkullojnë për turizëm në vendet e bukura që ka Shqipëria”.

Është pikërisht Fieri që do të presë këtë lëvizje, pasi ka rrugë transite për të shkuar në jug ose veri të Shqipërisë.

Popularity: 2% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com