Kategoria | Flash

Zjarri perfshin dhjetra hektar pyje

Zjarret e rëna mesditën e së hënës në pyllin me pisha të bregdetit të Fierit kanë shkaktuar dëme në pemë, banesa, si dhe bagëti. Ndërkohë që është rrezikuar seriozisht fshati Darëzezë, mbi 5000 banorë të zonës dhe pushues janë evakuuar. Burimet nga Komuna Dërmënas bëjnë të ditur  se mbi 60 hektarë pyll me pisha janë djegur plotësisht në territorin e fshatrave Seman e Darëzezë.

Rreth mesditës së djeshme, disa vatra zjarri janë identifikuar njëkohësisht në pyllin pranë bregdetit të Semanit, si dhe në atë të Darëzezës. Mësohet se me të shpejtë zjarri ka përparuar duke përfshirë të gjithë sipërfaqen me pisha. Banorë të fshatit Darëzezë tregojnë se për më shumë se katër orë fshatarët janë përpjekur të ndalojnë përparimin e flakëve drejt banesave. Kur kanë ndier vështirësi në lokalizimin e flakëve, ata kanë lënë gjithçka dhe i janë shmangur zjarrit i cili përparonte.

Situata është bërë më alarmante pasdite, kur është djegur plotësisht pylli i Darëzezës, që zinte një sipërfaqe prej më shumë se 50 hektarësh. Bashkë me pyllin janë djegur plotësisht edhe katër stane ku ndodheshin me qindra krerë bagëti.

Informacionet e para nga vendi i ngjarjes tregojnë se mbi 500 lopë e dele janë djegur, ndërkohë që nuk u kanë shpëtuar flakëve as objektet e ndodhura në afërsi të pyllit. Burimet nga reparti i zjarrfikësve të Fierit tregojnë se 10 shtëpi janë djegur.

“Ato ndodheshin në një zonë informale brenda territorit të pyllit dhe janë shkrumbuar plotësisht. Gjithashtu, është djegur edhe një hotel luksoz që ndodhej në brezin me pisha të Darëzezës”, tha Xhevat Mërnica, kreu i Repartit të Mbrojtjes nga Zjarri në Prefekturën e Fierit.

Ndërsa pylli i Darëzezës po shkrumbohej, flakët kanë përparuar në drejtim të fshatit Povelçë. Në kufijtë e këtij fshati, në disa sipërfaqe oborresh të mbi 50 banesave, zjarri ka shkaktuar dëme në të mbjella. Kryeplaku i fshatit, Kudret Sema, duke u mbështetur nga forcat e shpëtimit, si dhe nga policia e Fierit ka bërë të mundur evakuimin e banorëve të zonës. Mbi 5 mijë banorë kanë lënë banesat e tyre duke iu shmangur flakëve të zjarrit.

“E patëm mjaft të vështirë evakuimin, pasi banorët nuk braktisnin shtëpitë dhe pasurinë e tyre. Na është dashur t‘i marrim edhe me forcë”, tha drejtori i policisë së Qarkut Fier, Arjan Bozhaj, i cili që nga mesdita e së hënës ka qenë në vendin e përfshirë nga flakët.

Ndërkohë, nga bregdeti i Darëzezës janë larguar edhe një pjesë e pushuesve, të cilët lanë në shtëpitë dhe hotelin e djegur gjithçka që kishin marrë me vete për pushime.

Dëmet janë të konsiderueshme, ndërsa forcat zjarrfikëse të ardhura nga Patosi, Lushnja, Berati, Tepelena dhe Kavaja kanë mundur të bëjnë lokalizimin e flakëve vetëm rreth orës 18:00. Përveç zjarrfikësve, për të shuar flakët janë mobilizuar edhe punonjës të policisë dhe banorë të zonës.

Policia e Fierit njoftoi në mbrëmje se janë shoqëruar si të dyshuar për zjarrvënie tetë persona. Policia sqaroi se zjarri i djeshëm në pyllin me pisha të bregdetit të Fierit nuk ka qenë aksidental, por i vënë me dashje.

Fier

Dy të arrestuar

për zjarrvënie

Në një komunikim me median, zëdhënësja e policisë së Fierit, Valbona Meço, bëri të ditur se uniformat blu të Fierit u kanë vënë prangat për zjarrëvënie dy personave. Ata janë Dine Abazi, 58 vjeç, nga fshati Riban i Mallakastrës dhe Fiqiret Murrizi, 60 vjeç, nga Lushnja. Mësohet se 58-vjeçari nga Mallakastra i ka vënë flakën pyllit të fshatit Riban, paraditen e së hënës. Ndërsa 60-vjeçari nga Lushnja akuzohet se është autor i vënies së zjarrit në kurorën me ullishta të qytetit të Lushnjës, pronë e vëllezërve Çela.

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu