Më 29 maj 1992, natën e vrasjes së pesë anëtarëve të një familjeje, e njohur si Masakra e Libofshës, në orën 2 të saj, Mustafai, djali i ndarë i familjes Pupa, kishte dëgjuar zhurmë në oborr. Ai banonte në shtëpinë ngjitur me atë të prindërve dhe vëllait të martuar me një fëmijë. Ndërsa zhurma kishte pasur karakteristikat e rrëzimit të diçkaje të rëndë përtokë. Mustafai ishte ngritur nga shtrati, kishte hapur derën kryesore të shtëpisë, duke hedhur një sy rrotull, por nuk kishte vënë re asgjë të dyshimtë. Ditë më pas, kur pesë kufomat e njerëzve të shtrenjtë të jetës së tij ishin futur në dhe’, ai do e kujtonte me dhimbje e dëshpërim këtë zgjim në mes të natës. Madje ky detaj, me kalimin e kohës, pasi dëgjoi edhe dëshmitë e vrasësve në gjyq, që mes të tjerave tregonin se në shtëpinë fqinje, djali tjetër i viktimës ishte zgjuar e kishte hapur derën për të hedhur një sy jashtë, kishte nisur ta shqetësonte edhe më tepër. Sepse në mendje kishte nisur t’i rrinte si çekan fjala “sikur” bashkë me filozofinë e saj munduese e të pabereqet. “Sikur të kisha hapur sytë më mirë… Sikur të kisha dalë në oborr të bëja një kontroll… Sikur të mos kisha fjetur më gjumë…”
Tetëmbëdhjetë vjet më pas, ulur në një karrige në ballkonin e shtëpisë së masakrës, ku edhe banon aktualisht, Mustafa Pupa, lëshon sërish zemër kur kujton detajin e zgjimit në orën 2 të natës së 29 majtit 1992.
Zoti Mustafa, mund të na rrëfeni se si e kujtoni tani ngjarjen që ju mori babanë, nënën, vëllain e vetëm, vajzën dhe bashkëshorten e tij?
Është një ngjarje nga ato që nuk të largohen kurrë nga mendja, edhe pse në mes vazhdojnë të futen e të renditen vite të tëra kohe. Një ngjarje, që e sjell dhe përcjell përditë në kokën time dhe që gjithmonë ia arrin të më bëjë keq, të më bëjë të më ikë humori dhe përqendrimi. Atë natë unë ndjeva një zhurmë dhe u ngrita nga shtrati. Ishte ora rreth 2 e natës dhe prindërit e mi, vëllai, nusja e vajza e tij ishin ende gjallë. U ngrita të shihja. Zhurma kishte karakteristikat e diçkaje të rëndë që rrëzohet përtokë. Ishte një tingull i shurdhët. Në mendje më shkoi se mund të jetë ndonjë hajdut, se këta ishin shtuar shumë ato kohëra. Unë banoja në këtë shtëpinë ngjitur, kurse këtu, ku po qëndrojmë, ka qenë shtëpia e tim ati, ku jetonte edhe vëllai me familjen. Zhurma vinte nga gardhi, ishte prej kallamash në atë kohë, kështu që mendimi i parë ishte se mos po tentonin të na vidhnin bagëtitë. Por kur nuk pashë gjë në oborr dhe për më tepër nuk dëgjova që bagëtitë të bënin zhurmë, mendova se nuk kishte ndonjë gjë për t’u shqetësuar. Nuk ia fal vetes që u tregova i shkujdesur…
Ju ishit i pari që u futët në shtëpinë e masakrës?
Unë isha. Por alarmin se diçka nuk shkonte e kishte dhënë rreth orës 06:00 bariu i deleve. Sepse në atë kohë në lagje kishim një bari që kulloste delet e të gjithëve. Bariu kishte mbledhur delet e lagjes, por të pleqve të mi, pra tonat, nuk ia kishte nxjerrë kush. Duke qenë se në shtëpinë e babait nuk i ishin përgjigjur, ai trokiti në derën time. U vesha dhe dola jashtë. Bariu më tregoi se të shtëpia e tim ati askush nuk përgjigjej dhe se ai ishte bërë vonë, se duhet të merrte sa më shpejt delet me vete. Kështu që unë u futa në shtëpi me mendje se ishin ende në gjumë. Por kur pashë portën e oborrit të shqyer dhe derën hyrëse gjysmë të hapur, sepse ndjeva një therje në zemër. Në korridor pashë gjak. Aq shumë gjak, sa dukej sikur të isha futur në një thertore. Gjak edhe nëpër mure, por edhe tavanet ishin të spërkatura, ndërkohë që këpucët nisën të bënin pllaq-plluq. Vura se po shkelja mbi rroba e plaçka të përgjakura, të hedhura andej-këndej si mbas bastisjes së një banese, ndërsa sytë fillimisht më shkuan majtas, në dhomën e gjumit, te krevati dopio, ku flinin im vëlla, Agimi, me nusen, Rajmondën. Pamja më ngriu në vend. Ata ishin të masakruar, me fytyra të prishura që shikonin nga tavani. Ende të shtrirë mbi krevat, në vendet e tyre, mes çarçafëve të bardhë që kishin thithur aq shumë gjak, sa dukej sikur ishin të kuq. Ndërkohë mendja më ishte bllokuar. Nuk dija çfarë bëja. Duhet të kem kapur kokën me duar, duke ulërirë nga dhimbja. Bariu që u fut pas meje, në të njëjtën kohë kishte nisur të kërkonte ndihmë dhe në oborr ishte mbledhur e gjithë lagjja. Dikur ktheva sytë nga krevati i vajzës së vëllait, Magdalenës, 8 muajshe. Ajo lëvizi një moment, duke më tërhequr vëmendjen. Një çast kujtova se flinte, por kur u afrova dhe pashë gjak poshtë qafës së saj, ngriva. Çaste më vonë ndjeva se dikush po më tërhiqte nga pas. Isha aq i mpirë sa reagoja si trung. Në korridor, në thellësi të tij, vura re nënën, Zenepen, të përgjakur me një shami të zezë të lidhur në gojë. Vrasësit e kishin torturuar para se ta qëllonin për vdekje. Ndërsa babai, Petriti, ishte në shtratin e tij, i mbështetur në mur, me pamjen e një të gjalli, nëse këtë nuk e prishte fytyra e copëtuar. Në gjyq vrasësit pohuan se fillimisht i kishin goditur me leva në kokë, ndërsa më pas, për t’u siguruar, i kishin goditur edhe me një sëpatë. Ndërsa vajzës pohuan se i kishin përdredhur kokën. Se ajo kishte nisur të qante, t’i bezdiste në punën e tyre…
Si është e vërteta, pasi është thënë se vajza e vogël pas ngjarjes ishte gjallë?
Po, vajza jetoi në koma edhe disa orë. Por edhe nëna ishte gjallë. Jetoi pak më shumë se vajza. Unë nuk kujtoj shumë gjëra, mbaj mend policinë që mbërriti dhe nisi të merrej me vendngjarjen, kujtoj se vajza vdiq rrugës për në spital, ndërsa nëna dha shpirt në darkë. Dha shpirt pa folur asnjë fjalë, edhe pse policia, në prezencë të mjekëve, i rrinte te koka për të mësuar ndonjë gjë me qëllim që të identifikonte autorët.
Vrasësit janë zbuluar vetëm pas katër ditësh. A i njihnit ata dhe si i mbanit mend?
Policia ndenji tri ditë në shtëpinë time. Më pyesnin se te cili dyshoja që ta ndalonin dhe ta merrnin në pyetje. Kujtoj se atë ditë erdhi me helikopter edhe ministri i Rendit Publik, Bashkim Kopliku. Asnjëherë nuk e mora vesh se si u zbuluan vrasësit, por unë dhe e gjithë familja ime i njihnim ata. Sepse që të dy, edhe Ditbardhi, edhe Josif Çukua, kishin punuar si ndihmës të vëllait të tyre më të madh në ndërtimin e shtëpisë sonë, të së njëjtës shtëpi ky hynë dhe bënë masakrën, pra dikur kishin ngrënë bukën tonë. Në atë kohë mësuam vetëm se atyre u ishin gjetur rrobat e gjakosura si dhe leva e sëpata, bishti i së cilës, i thyer nga goditjet e forta në kokat e njerëzve të mi të afërt, u gjet pranë kufomave. Të gjitha i kishin hedhur në një pus pranë shtëpisë së tyre. Kur u ftillova, ditë më pas, kur po zhvillohej gjyqi, mu kujtua se Ditëbardhin e kisha parë pranë shtëpisë sonë mëngjesin e masakrës. Një komshi më tha se ai e kishte pyetur nëse kishin vdekur që të gjithë, apo jo. Duket donte të sigurohej që askush nuk do të përmendte emrin e tij dhe të vëllait të tij.
Si i njihnin në fshat këta dy?
Më pas doli se ishin hajdutë, madje hajdutë të sëmurë, nga ata që nuk i zë gjumi pa vjedhur diçka, një send, sado pak i rëndësishëm. Pas ngjarjes dhe arrestimit të tyre, policia provoi, në bazë edhe të materialeve të sekuestruara në shtëpinë e tyre, edhe një sërë vjedhjesh të shtëpive të ndryshme në fshat, por gjykata nuk u mor me ato. Madje e shpalli që në fillim se nuk do të merrej me vjedhjet, pasi akuza për masakrën dhe dënimi që mund të jepej, në rast se vërtetohej, do të ishte i tillë, sa nuk do të lindte nevoja e plotësimit me dënime për keqbërje të vogla.
Përse piketuan pikërisht shtëpinë e prindërve të tu?
Për të grabitur. Vëllai që u vra, Agimi, rreth tre muaj më parë kishte ardhur nga Greqia. Kishte sjellë një makinë me mallra, televizor, frigorifer, divane, pra plaçka që kishin rënë në sy të gjitha banorëve të lagjes tek shkarkoheshin. Ndërkohë ai bënte kurs për të marrë patentë shoferi. Pra, ideja se bënte kurs për patentë, duket u thoshte vjedhësve se ai kishte të holla për të blerë një makinë, çmimi i të cilave në çdo kohë ka qenë i shtrenjtë. Por vëllai ndërkohë e kishte krijuar figurën e një njeriu me lekë. Sepse ai edhe në kohën e komunizmit, duke punuar si rrobaqepës, kishte imazh të tillë. Qepte sipas modës dhe tek ai mbërrinin me shumicë të rinj për të prerë kostume, apo qoftë një palë pantallona. I kishte duart të arta dhe jo vetëm ato, por edhe zemrën, sepse kujtoj se atyre që nuk kishin mundësi, ua qepte pa u marrë shpërblim. Ah, edhe kur erdhi nga Greqia i bëri gjithë lagjes dhurata. Ishte aq i zoti, sa tek ai, fshehurazi, merrnin zanatin edhe rrobaqepës të ndryshëm nga Fieri.
Si e treguan vrasësit në gjyq ngjarjen?
Thanë se ishin nisur për të grabitur. Sepse ishin të bindur se në shtëpinë e tim eti do të gjenin shuma të mëdha të hollash. Ka të ngjarë që të kenë qenë më shumë se dy vëllezërit Çuko në grabitje atë ditë, por policia u mjaftua vetëm me ata. Sepse teksa u provua se ata të dy ishin futur brenda për të bërë masakrën, lind pyetja, kush i ruante nga jashtë? Nejse… Sipas dëshmisë së tyre në gjyq, ata kishin kaluar gardhin me kallama pikërisht në kohën që unë dëgjova zhurmën, në orën 2 të natës. Ishin fshehur në momentin që kishin dëgjuar lëvizjet e mia dhe hapjen e derës kryesore dhe kishin nisur të vepronin kur gjithçka ishte qetësuar sërish. Me tubin e një pompe biçiklete kishin mënjanuar hekurat e dritares së dhomës së pritjes, ku nuk flinte askush, sepse ata e njihnin shtëpinë, pastaj kishin hequr xhamin e superluçes, duke e lënë përtokë, mbase duke nxjerrë fillimisht gozhdët që ishin nga ana e jashtme. Nga këtej kishin futur dorën brenda për të hapur dritaren dhe kështu ishin gjetur në brendësi, në një kohë që të gjithë flinin në dy dhoma të ndryshme. Fillimisht dy vëllezërit kishin hyrë në dhomën e vëllait, që ishte përballë, dhe pa asnjë paralajmërim kishin nisur t’i qëllonin me leva hekuri të dy, burrë e grua, siç ishin duke fjetur. Që të dy, vëllai, Agimi, dhe gruaja e tij, Rajmonda, kishin vdekur pa mundur të bënin asnjë lëvizje. Po sipas dëshmisë së tyre, në këtë kohë vajza, Magdalena 8 muajshe, ishte zgjuar dhe kishte nisur të qante. Një nga kafshët i ishte afruar dhe i kishte përdredhur kokën… (Mustafai ndërpret rrëfimin, sepse mbushet me lot).
E bënë gjithë këtë masakër, por a gjetën, a morën lekë këta?
Nuk e di. As në gjyq nuk doli gjë. Në fakt ata kishin marrë me vete një valixhe të vjetër, që im atë e trashëgonte si diçka tepër të shtrenjtë. Ishte një valixhe e lënë nga gjyshi im. Ai dikur kishte punuar në Egjipt dhe e kishte sjellë me vete. Im atë asnjëherë nuk na ka lënë të mësonim se çfarë ruhej brenda saj. Kështu ajo valixhe gjithmonë na zgjonte kureshtjen. Mbase edhe mund të ketë pasur ndonjë flori të trashëguar. Kush e di? Por në gjyq vrasësit thanë se në valixhe nuk kishin gjetur asgjë.
Pak më parë ju përmendët se nënën e kishin torturuar. Si doli e vërteta?
Po nëna ishte ende gjallë kur unë u futa në shtëpi. Ata e kishin torturuar, duke i lidhur një shami në gojë. Edhe ky detaj në gjyq doli. Pasi kishin vrarë vëllain, nusen e tij dhe vajzën, ata ishin futur në dhomën e prindërve. Në gjyq thanë se babai u kishte bërë rezistencë, se ishte mbështetur pas murit dhe ishte ndeshur me ta, por ata e kishin mundur duke e qëlluar me sëpatë në ballë. Pikërisht në këtë moment sëpatës i ishte thyer bishti prej druri, që ata kishin harruar ta merrnin me vete për ta zhdukur si provë. Ndërsa mamanë e kishin lidhur dhe torturuar për të mësuar se ku ishin të hollat. I kishin thyer dhëmbët duke e rrahur. Më pas e kishin qëlluar me leva, duke e lënë për të vdekur. Pasi kishin marrë valixhen, ata kishin dalë dhe kishin shkuar në drejtim të një rezervuari me ujë, që gjendet rreth 500 metër më tej. Aty kishin larë gjakun dhe kishin hedhur tej valixhen e shqyer me forcë. Deri këtu gjurmët e tyre i kishte ndjekur edhe qeni i policisë, po pa mundur të shkonte më tej.
Ka ekzistuar një pandehmë sikur ngjarja ka pasur lidhje me hakmarrjen, sipas së cilës autorët kërkonin shpagim pasi vëllai juaj kishte dashuruar dhe më pas braktisur motrën e tyre. Si është e vërteta?
Dy autorët e thanë saktë dhe prerë në gjyq se gjithçka e kishin bërë për para. Ndërsa historia e motrës së tyre ishte e vjetër ndërkohë. Ka të ngjarë që im vëlla të ketë pasur një lidhje të shkurtër me të, madje edhe unë në një rast e kam parë motrën e tyre në afërsi të shtëpisë sonë, por nuk mendoj se ishte për hakmarrje. Sepse po të kishte qenë hakmarrje, do kishim pasur fërkime të tjera më parë, ndërkohë që im vëllai ishte martuar dhe kishte një fëmijë. Kjo është thjesht një pandehmë.
Në atë kohë, në vitin 1992, bashkë me ngjarjen, me masakrën, ne kemi dëgjuar se ju ishit një familje e ardhur në Libofshë nga Korça. Si është e vërteta? A ka luajtur rol në sulmin ndaj jush fakti se nuk ishit pjesëtarë të një fisi të madh autokton?
Paraardhësit e mi kanë qenë njerëz me shkollë dhe të kamur. Sot e kësaj dite në mes të qytetit të Korçës gjendet ende në këmbë shtëpia jonë trekatëshe, kuptohet me pronar të ndryshuar. Por gjyshi, i cili në kohën e Zogut kishte shërbyer si drejtues policie apo edhe si kryekomunar në disa rrethe të vendit dhe që studimet i kishte kryer në Itali, u burgos nga regjimi i Enver Hoxhës. Ndërsa pjesës së mbetur të familjes iu komunikua një ultimatum, sipas të cilit ata mund të jetonin ku të donin, veçse jo më në Korçë dhe në Tiranë. Kështu, im atë, i cili edhe ai kishte studiuar në Verona të Italisë për agronomi dhe për një kohë edhe në Normalen e Elbasanit, u vendos bashkë me familjen pranë disa të njohurve në Mërtish të Lushnjës, jo shumë larg nga këtu. Unë aty kam lindur. Ndërkohë babai punonte si arsimtar të Libofshë, prandaj edhe bleu këtu shtëpinë, në oborrin e të cilës tashmë jemi ulur. Më pas solli edhe gjithë familjen. Ndërsa sulmi ndaj familjes sonë ka qenë i rastësishëm. Thjesht autorët e masakrës e kishin listuar shtëpinë tonë si një nga shtëpitë e fshatit ku mund të gjenin të holla. Madje në gjyq doli se dikujt, një bashkëmoshatari, i kishin thënë para masakrës: “E dimë mirë se kush ka para në Libofshë”. Dhe kishin përmendur një listë me 4-5 emra, në fund të së cilës kishin shtuar edhe emrin e tim vëllai. Ndërsa unë mendoj se piketuan shtëpinë tonë prej faktit se e njihnin shumë mirë, pasi e kishin ndërtuar vetë, restauruar më saktë, përmbi themelet e të vjetrës. Ne nuk kemi pasur asnjë konflikt me komunitetin këtu, përkundrazi na vlerësonin, pasi im atë kishte kaluar nëpër duar si edukator shumë nga brezat e kësaj zone. Kjo u vërtetua gjatë ceremonisë së varrimit. Sepse ishte madhështor. Kanë ardhur aq shumë njerëz, sa nuk ka ndodhur në ndonjë rast të dytë në këto kohëra. Për tim atë, por edhe për tim vëlla, këtu në Libofshë të gjithë kanë ruajtur respekt të veçantë.
Popularity: 4% [?]




