Kategoria | Histori

Dy nga monumentet më të vjetra

  • Dy nga monumentet më të vjetra të qytetit si Ura e Gurtë mbi lumin Gjanica dhe kisha e vjetër e Shën Gjergjit nuk ekzistojnë duke e lënë Fierin pa kujtesë historike. Edhe tregu i vjetër i ndërtuar nga vrionasit nuk ekziston më.Mania e shkatërrimeve të periudhës komuniste e shkatërroi Fierin si asnjë qytet në Shqipëri.
  • Ura e Gurtë mbi lumin Gjanica u ndërtua në vitin 1777. Në librin e tij “Shqipëria”, në vitin 1927, autori Teki Selenica thotë se ura që u ndërtua nga Rrapushja, e bija e Kurt Pashës, lidhte fshatrat e Shkozës me Fierin e Madh. Ura u shkatërrua nga ushtria gjermane gjatë tërheqjes së saj në 15 tetor 1944.
  • Kisha e vjetër e Shën Gjergjit ishte dikur një nga monumentet më të medhenj dhe më të bukur të rajonit të Myzeqesë. Ajo përbëhej prej sallës, 3 nefeve, pagëzimores, dy portikeve dhe këmbanores. Me përmasa 26 x 20, Kisha e Shën Gjergjit u ndërtua në vitin 1782 nga një grup ndërtuesish të drejtuar nga mjeshtri i quajtur Gega. Ajo ishte zbukuruar brenda me afreske të punuara nga piktori grabovar Joan Çetiri. Furia e shkatërrimeve të objekteve fetare në vitin 1967 nuk  kurseu as kishën e Shën Gjergjit. U rindërtua përsëri nga KOASH në vitin 1999.
  • Fieri mund të ketë lindur si vendbanim në vitet 1700, si stacion përgjatë rrugës Vlorë – Berat. Pas luftës Austro – Osmane të viteve 1683 – 1690 qendra e Sanxhakut të Vlorës u vendos në Berat, në brendësi të vendit.
    Në vitin 1850 Kahreman Pashë Vrioni, i biri i vezirit Omer Pasha, shkëputet nga Berati dhe vendoset në Fier duke themeluar degën e familjes Vrioni që mbante titullin e pashës.
  • Rreth viteve 1858 – 1862, Kahreman Pasha bleu për 150 000 grosh fshatin e Fierit që ishte çiflig shtetëror. Menjëherë ai nisi përpjekjet për të siguruar statusin e qytetit e kësisoj, nisi një program intensiv ndërtimesh. Në vitin 1864 Kahreman Pasha ndërtoi tregun buzë lumit Gjanica. Ai kishte gjithsei 122 dyqane të cilat nisën menjëherë veprimtarinë tregtare.
  • Për t`i dhënë hov tregtisë dhe zejtarisë në qytetin e ri, Vrionasit sollën me kontratë tregtarë dhe zejtarë voskopojarë të cilët pas djegjes së këtij qyteti në vitin 1769, ishin strehuar në Berat dhe rrethinat e Fierit.
  • Në vitin 1877 Fieri u ndërtua e sistemua sipas një plani arkitektonik modern nga Omer Pashë Vrioni (i riu). Ai solli për këtë qëllim arkitektë dhe topografë italianë. Fizionominë e këtij plani, qyteti i Fierit e ruan edhe sot ku ndërthuren dy sisteme; ai kuadratik dhe rrezor.
  • Në fund të shekullit të XIX Fieri kishte 4 lagje: “Shkozë”, “Belik”, “Kishë” dhe “Pasha”.
  • Në librin e saj “Brenga e Ballkanit” udhëtarja angleze Edit Durham kur shkruan për Fierin e vitit 1904, tregon se në të janë ngritur godina prej guri me arkitekturë çuditërisht moderne.
  • Në vitin 1908 hapen paralelisht dy shkollat e para të arsimit shqip; në Libofshë dhe Cakran.
  • Përfaqësuesit e 49 çetave kryengritëse të Shqipërisë së jugut, pas Kongresit të Sinjës zbritën në Fier në 8 gusht 1912 dhe nga zyra telegrafike e qytetit ata njoftuan Stambollin dhe Fuqitë e Mëdha për vendimet e kuvendit.
    Gjatë udhëtimit te tij historik për ngritjen e Flamurit në Vlorë, Ismail Qemali u strehua në 24 Nëntor 1912 në Fier, në shtëpinë e Ymer Pashë Vrionit.
    Në 29 Nëntor 1912 një grup patriotësh fierakë të drejtuar nga kryetari i bashkisë Tonç Kilica, ngriti simbolikisht Flamurin kombëtar duke u bashkuar me Qeverinë e Vlorës.
  • E para shkollë e arsimit shqip në qytetin e Fierit u hap në 12 shkurt 1914 dhe ishte e vendosur në një godinë në lagjen “Shkozë”.
    Në vitin 1923 Fieri ishte nënprefekturë nën varësinë e Prefekturës së Beratit. Në përbërjen e nënprefekturës bënin pjesë: Krahina e Fierit me 71 fshatra dhe Krahina e Semanit me 22 fshatra. Qyteti i Fierit tashmë kishte pesë lagje: “Bishanakë”, “Pasha”, “Shkozë”, “Belik”, “Kishë” dhe  gjithsej 1493 banorë nga te cilët, 991 i përkisnin besimit fetar ortodoks dhe 502 i përkisnin besimit fetar mysliman.
  • Në vitin 1914 ndërtohet xhamia e qytetit me inisiativën e Haxhi Qamilit, njërit prej drejtuesve të Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme të viteve 1914 – 1915
    Gjatë verës së vitit 1920 Fieri u shndërrua në bazë të luftërarëve që niseshin për në Luftën e Vlorës, duke mbajtur kështu gjithë peshën e prapavijës.
    Në vitin 1924 qytetit iu shtua edhe një lagje e re; “Liria”(e quajtur kështu pasi u krijua në vitet e Pavarësisë Kombëtare) e cila u ndërtua nga tregtarët fierakë si qendër e re e aktivitetit ekonomik.
  • Në vitet 1916 – 1918,  Fieri përfshihet në trazirat e Luftës së Parë Botërore dhe pushtohet nga trupat ushtarake të Austro–Hungarisë.
  • Një repart special i ushtrisë Austro–Hungareze kryen të parin gërmin arkeologjik në Qytetin  Antik të Apolonisë. I drejtuar nga arkeologët Prashniker dhe Shober, ky repart ushtroi aktivitetin e tij në vitet 1916–1918 shpeshhere, edhe nën goditjet e artilerisë ushtarake italiane.
  • Ngjarjet e Revolucionit Demokratiko–Borgjez të vitit 1924 përfshinë qytetin e Fierit dhe rajonin e tij. E fuqishme ishte edhe lëvizja  me karakter antifeudal që zhvilloi edhe dy degët e shoqërisë “Bashkimi” që ushtronin aktivitetin e tyre në Fier dhe Libofshë.

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu