Kategoria | Kulture

Apolonisë i rikthehet Muzeu Arkeologjik

Pas shumë vitesh i kyçur, i kërcënuar çdo ditë e më shumë nga shkatërrimi, duket se më në fund është vënë dorë mbi Muzeun Arkeologjik të Apolonisë. Këto ditë po punohet pikërisht mbi këtë godinë që gjendet brenda perimetrit të Manastirit të Shën Mërisë. Një projekt restaurimesh po zbatohet prej disa muajsh në Parkun Arkeologjik. Me një financim prej 6 milionë e 176 mijë lekësh të reja të akorduara nga Ministria e Kulturës, Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës Kombëtare në Tiranë, përgjegjëse për monumentet e kulturës në Apoloni, ka zbatuar një proces restaurimi në Manastirin e Shën Mërisë. Prej vitesh ishte hedhur alarmi për gjendjen e rënduar të Muzeut Arkeologjik. Çarje të konsiderueshme të murit rrezikonin strukturën e tij. Të tilla çarje gjendeshin edhe te Portiku i Manastirit, aty ku kanë qëndruar të ekspozuara vetëm disa statuja. Projekti i restaurimit ka përfshirë një rinovim të plotë të çatisë, restaurimin e mureve, vendosjen e dyerve dhe dritareve të reja. “Në godinën e muzeut, që gjendet brenda perimetrit të Manastirit të Shën Mërisë, nuk ishte vënë dorë të paktën prej 30 vjetësh. Gjendja e kësaj ndërtese ishte bërë problematike, duke shkaktuar edhe mbylljen e pavijoneve të vizitueshme të muzeut. Rikonstruksioni i plotë i ndërtesës, përfshirë çatinë dhe muret e jashtme, është hapi i parë në drejtimin e duhur për t‘i rikthyer Apolonisë muzeun e saj, që për nga larmia dhe sasia e objekteve arkeologjike që përmban është më i pasuri në të gjithë vendin”, shprehet Marin Haxhimihali, drejtor i zyrës së administrimit dhe koordinimit të Parkut Arkeologjik të Apolonisë. Kjo është faza e parë e këtij projekti restaurimi, i cili në 2009-ën do të vazhdojë me rijetëzimin tërësor të këtij muzeu, për ta kthyer atë në hapësira të ekspozimit dhe të vizitueshëm. “Vitin që vjen do të punohet për rijetëzimin tërësor të muzeut. Ende objektet janë në proces inventarizimi e më pas muzeu do të kalojë në varësi të Ministrisë së Kulturës. Ndërkohë, ndërhyrja restauruese në Manastirin e Shën Mërisë është planifikuar të mbarojë në datën 20 dhjetor”, thekson Vilson Masmalaj, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare. Pas viteve ‘90, një pjesë e objekteve të Muzeut Arkeologjik të Apolonisë u shkatërruan ose u vodhën. Ky ishte dëmtimi i parë i kësaj pasurie të nxjerrë nga nëntoka. Ndërsa rrëmujat e vitit 1997 çuan në mbylljen përfundimtare të tij. Pas kësaj, një pjesë e mirë e objekteve u dërguan për ruajtje në fondet e Institutit Arkeologjik të Tiranës. Të tjerat edhe sot janë të kyçura në godinë, ekzistenca e së cilës pak ditë më parë vihej në pikëpyetje. Tashmë, me këto ndërhyrje restauruese të fazës së parë, godina është konsoliduar si strukturë. Shpresohet që punimet e 2009-ës të vijojnë që në muajt e parë, në stinën e verës, atëherë kur ka më shumë dyndje turistësh. Më shumë se një vit më parë, drejtori Haxhimihali pati ngritur shqetësimin e një bilete që vizitorët paguanin për të parë Muzeun Arkeologjik, i cili realisht ishte pothuajse inekzistent. Sot ajo biletë nuk paguhet më. Ndërsa ky projekt restaurimesh, i hartuar nga Genc Siamimi, specialist i Institutit të Monumenteve të Kulturës, duket se është një hap drejt bashkëpunimit të munguar mes strukturave përgjegjëse për ruajtjen e trashëgimisë. “Zyra e Parkut Arkeologjik shpreson se realizimi i këtij programi restaurimesh do të bëhet nxitje për një bashkëpunim më efikas në terren me strukturat e tjera të interesuara për një koordinim më të mirë të punëve, me synim nxjerrjen në pah të potencialit të vërtetë arkeologjik të Apolonisë, njërës prej perlave të qytetërimit të lashtë evropian”, shprehet Haxhimihali. Sipas tij, zyra e administrimit dhe koordinimit e Parkut Arkeologjik e ka zgjeruar aktivitetin në terren, duke synuar jo vetëm mirëmbajtjen e monumenteve ekzistuese, por edhe zgjerimin e zonës së vizitueshme të parkut. Për këtë, programi restaurues po zbatohet në disa pika, deri dje të anashkaluara, si kulla e hyrjes, termat romake, pusi antik monumental, tempulli në kuotën 104. “Synimi është dyfishimi i zonës së vizitueshme në Apoloni, e cila përbën Parkun Arkeologjik më të madh në Shqipëri për sa i përket shtrirjes së monumenteve antike dhe potencialit arkeologjik që ende s‘ka dalë në dritë”, thekson Haxhimihali.

Popularity: 1% [?]

1 Koment(e) Per Kete Postim

  1. Aguri Thote:

    Shyqyr qe po ve dor shteti qe te ruaj keto mrekulli te pakta qe kemi se jan kthyer njerezit ne kafshe vjedhin edhe tullat e murit.

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com