Specialistët kërkojnë investime dhe më shumë hapësirë për Muzeun Historik të qytetit. Muzeu Historik i Fierit kërkon hapësira. Godina ku muzeu është vendosur prej vitesh po përballet me ditët më të këqija të saj. Kati i dytë i muzeut prej vitesh është shkatërruar dhe tavani i parikonstruktuar lejon që gjithçka që bie jashtë të futet brenda. Edhe pavijoni i Luftës së Dytë Botërore që ishte vendosur në këtë kat është zhvendosur dhe tashmë ky mjedis i ngjan më tepër një rrënoje. Me gjithë kërkesat për investime, deri më tani nuk është mundësuar sigurimi i fondit përkatës. Specialisti i muzeut të Fierit, Nuri Plaku, shprehet se bllokimi i buxhetit për këtë vit e zgjat për një afat të pacaktuar gjendjen e këtij muzeu dhe e bën të paparashikueshme kohën për rikonstruksion. Gjurmët e rrënimit të kësaj godine nuk janë të dukshme vetëm në katin e dytë. Sipas Nuri Plakut është kërkuar shumë herë që të ndërhyhet në këtë godinë ose të vihet në dispozicion një ndërtesë tjetër me më shumë hapësira. Në rast të kësaj kërkese të fundit, specialistët kanë menduar për një ndarje të mundshme të Muzeut Etnografik. “Ka pasur përpjekje konkrete që ish-godina e shtëpisë së ushtarakëve në Fier të kthehej në një muze, ku çdo pavijon do të kishte katin përkatës. Ka pasur negociata me Ministrinë e Mbrojtjes, por gjithçka ka ngecur. Tashmë ajo që vlen më shumë lidhet me domosdoshmërinë për investime në godinën aktuale”, vijon më tej specialisti Nuri Plaku. Sipas tij, për nga fondet që ekzistojnë dhe zhvillimin që ka pasur ky qytet, kërkohet një muze i përmasave më të mëdha. Ai sugjeron edhe hapjen e një muzeu në natyrë, si dhe prezantimin e vlerave historike të trevës së Myzeqesë edhe në ambiente të tjera. Aktualisht, në muzeun e Fierit funksionojnë pavijoni i arkeologjisë, i mesjetës, i periudhës së fundit, si dhe ai i etnografisë. Në Muzeun Historik të Fierit nuk është e pasqyruar Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare, për të cilën ka pasur shumë pretendime. Tre roje, dy sanitare, një specialist dhe një drejtor përbëjnë administratën e muzeut të Fierit, të cilët presin përditë grupe nxënësish nga shkollat e qytetit që kanë të planifikuar në lëndën mësimore vizitën në muze. Por ky muze vizitohet edhe nga një numër i konsiderueshëm turistësh të huaj, të cilët e kanë bërë Fierin pjesë të guidave të tyre nisur nga pikat e shumta arkeologjike që gjenden në territorin e qarkut të këtij qyteti. Ajo që i shqetëson punonjësit e muzeut, veç investimeve, ka të bëjë me shterjen e personave që në mënyrë vullnetare dorëzojnë objekte me vlerë. Në mungesë të fondeve për blerje, pasurimi i materialeve të ekspozuara bëhet shumë i vështirë, për më tepër që ky muze vihet edhe në dispozicion të mjaft studiuesve.
Popularity: 2% [?]




