“Kinemaja e së drejtës” mbërrin në edicionin e dytë të saj. Festivali i filmit çelet sonte në teatrin “Bylis”, në Fier, dhe do të qëndrojë deri më 26 tetor. Në tri ditët e festivalit do të shfaqen filma artistikë dhe dokumentarë, me temë qendrore mjedisin, trafikun njerëzor dhe emigracionin, si dhe abuzimin me fëmijët. “E vërteta e papërsëritshme” është dokumentari që do të çelë festivalin, për të vijuar më pas për 50 minuta me filma të shkurtër për mjedisin nga Xhemal Mato. “Agua mi Sangre” është një tjetër dokumentar pjesëmarrës, që do të pasohet në vijim nga dokumentari i Namik Ajazit “Dasma tjetër”, filmi i shkurtër meksikan “Ëndrra tjetër amerikane”, “Rekrutimi”, film artistik nga Kosova, “Probleme personale”, “Pengu”, “Një ditë nga jeta e Bekimit” etj. Përveç Shqipërisë dhe Kosovës, gjeografia e festivalit shtrihet edhe në Maqedoni, Greqi, Spanjë, Itali, Meksikë dhe SHBA. “Të rritur në rrugë” i Burbuqe Berishës dhe filmi i Dhimitër Anagnostit “Gjoleka, djali i Abazit” janë të fundit që do të shfaqen në festivalin, i cili do të mbyllet me një bisedë televizive për abuzimin me fëmijët.




