I përkasin shekullit V, por deri vonë ishin “të mbyllura”.Dy palë sandale të rralla, të gjetura 55 vjet më parë në Apoloni, vetëm këto ditë i janë nënshtruar restaurimit. Për vite me radhë kanë qëndruar në fondet e muzeut arkeologjik të Apolonisë, derisa u mor përsipër trajtimi i tyre. Aktualisht gjenden në Laboratorin e Arkiometrisë dhe Restaurimit ku do të qëndrojnë deri në përfundim të ndërhyrjes. Frederik Stamati, shefi i këtij laboratori tregon se këto sandale janë zbuluar në vitin 1954. Secila prej tyre është gjetur në një sarkofag(varr që kushtonte dhe nuk mund ta kishin të gjithë), e kjo tregon se ata që janë varrosur në sarkofag kanë qenë njerëz të pasur. Sipas Stamatit, këto lloje të rralla sandalesh mendohet të jenë përdorur për vallëzim. Vetë ndërtimi i shuallit të tyre, me thumba të dalë metalik (gati të krahasueshme me takat e futbollistëve sot) i ka çuar specialistët në këtë përfundim. Këto pjesë të dala metalike besohet se shërbenin për të krijuar tinguj gjatë përplasjes së tyre. “Karakteristikë e këtyre sandaleve është ndërtimi me një skelet metalik prej bronzi, mbi të cilin vendosej një pafte e harkuar po prej bronzi. Një dërrasë vendosej mbi strukturën metalike, e cila gjithashtu mbulohej me një shtresë lëkure. Kemi disa elementë të dukshëm që na kanë lejuar të arrijmë deri në rindërtimin e kësaj strukture. Por ende nuk e dimë se si ishte ndërtuar pjesa e sipërme e tyre, si qëndronte në këmbë”, thekson Stamati. Teksa sqaron më tej, ai shprehet se sandalet përbëheshin nga dy pjesë: pjesa e thembrës dhe e shputës së këmbës. Mes këtyre dy pjesëve ka pasur një lidhje që lejonte përthyerjen e lehtësishme. Ndërsa në pjesën anësore, aty ku druri forcohej me një pjesë bronzi, janë gjetur disa burime tekstili të cilat u përkasin sandaleve, një fijeje apo rrobe me të cilat ka qenë thurur pjesa e sipërme e sandaleve. “Nga përbërjet që kemi gjetur e analizuar, ka rezultuar se është një tekstil i shek 5 para erës së re. Kemi të bëjmë me një endje tipike të kohës, në formë kanistre me vijëzime. Sipas të dhënave duhet të ketë qenë tekstil bimor. Por gjëja më e rëndësishme në këtë tekstil, janë disa elementë që dalluam ditët e fundit e që tregojnë për një tekstil të dekoruar në vegje. Ky është rasti më i vjetër që gjejmë në Shqipëri për një tekstil të dekoruar me vegje. Deri më sot, tekstili më i vjetër i dekoruar në vegje u përkiste gjetjeve në kalanë e Dalmacës të shek VI-VIII”, thekson shefi i Laboratorit të Arkiometrisë dhe Restaurimit, në të cilin po restaurohen këto sandale. Pas zbulimit në vitin 1954, për vite me radhë ato qëndruan në fondet e muzeut arkeologjik në Apoloni. Këto sandale të rralla deri më sot nuk u janë nënshtruar ndërhyrjeve për shkak të vështirësive të mëdha restauruese. “Vetëm para disa viteve ne morëm përsipër të bënim restaurimin. Në laborator nuk kishte mundësi teknike, pajisjet dhe kimikatet e nevojshme”, thekson Stamati. Por edhe pse teknika është përmirësuar krahasimisht me vite më parë, jo vetëm në këtë rast, ka probleme me analiza të përbërjeve të caktuara. Takati tregon se kanë edhe elementë të drurit në përbërje të strukturës së këtyre sandaleve, ku ende nuk është përcaktuar lloji i drurit të përdorur. Sipas tij, në mungesë të një specialisti shqiptar, para disa vitesh ia dhanë material për analiza një specialisteje franceze që merrte pjesë në ekspeditën e Sovianit, por ajo nuk ka kthyer përgjigje. Tani i jemi drejtuar Muzeut të Manzës në Gjermani. Puna restauruese pothuajse është në përfundim. “Gjithë materialin e kemi ndarë në 9 grupe. Ka mbetur vetëm një strukturë pa restauruar. Kur janë sjellë në laborator, sandalet ishin shumë të dëmtuara. Janë bërë trajtime për të përforcuar strukturën metalike tepër të dobësuar dhe besojmë se pas punës që kemi bërë, nuk do të ketë probleme për korrozion të mëtejshëm”, thekson Stamati. Në Shqipëri janë gjetur vetëm 3 palë sandale të plota dhe një fragment nga një palë të tjera. Të gjitha janë zbuluar në Apoloni. Sipas Stamatit, edhe në vende të tjera kemi raste të rralla të këtyre strukturave. Ai tregon se një palë të ngjashme i ka parë edhe në Muzeun Kombëtar të Athinës. Por Stamati thekson se edhe pas analizave dhe vëzhgimit të materialit e ka të pamundur të thotë nëse këto sandale ishin korkyrase, greke apo shqiptare. “Nuk mund të bëjmë një dallim. Vetë gërmimet që ka bërë Lorenc Bejko kanë treguar se Apolonia ka qenë e banuar përpara se të vinin korkyrasit e të formonin koloni. Kishte një substrat ilir dhe pati një bashkëjetesë të popullsisë vendase me atë të ardhur”, thekson Stamati. Pas restaurimit të plotë, dy palët e rralla të sandaleve të zbuluara në vitin 1954, do të kthehen në Apoloni, ku pritet të ekspozohen në muzeun arkeologjik. Ky i fundit, ndonëse prej disa vitesh qëndron i mbyllur, pas një ndërhyrjeje restauruese të kohëve të fundit pritet që këtë vit të hapet. Si pasojë, të gjitha materialet arkeologjike të zbuluara nga ekspeditat e herëpashershme në Apoloni pritet të ekspozohen për turistët që vizitojnë Parkun Arkeologjik.
Popularity: 1% [?]




