Kategoria | Lajme

Etiketat : , , ,

“Albpetrol” investon për mjedisin, por akuzohet për mashtrim

Fier- Akuza nga krerët vendorë dhe sindikatat

Kompania e naftës “Albpetrol” sh.a. edhe pse është në prag të privatizimit total të saj deklaron se po kryen investime për mbrojtjen e mjedisit. Madje, investimet e kryera kanë marrë fonde të mëdha. Kjo ka bërë që sindikatat e pavarura jo vetëm në sektorin e naftës të shprehen se nën pretekstin e investimeve janë kryer abuzime të mëdha.

Drejtues të kompanisë “Albpetrol” thonë se gjatë pesëmujorit të parë të vitit 2010 kanë kryer investime për përmirësime të mëdha të teknologjisë në fushat naftënxjerrëse, për rehabilitimin mjedisor. Sipas deklaratave për shtyp të drejtuesve të kompanisë konfirmohet se me investimet e periudhës së parë të këtij viti është realizuar riparimi i operatorit të riciklimit të elementeve ndotës të naftës, si dhe është realizuar përmirësimi i teknologjisë së injektimit të ujërave të shtresës, të cilat dalin nga stacioni i dekantimit dhe rikthehen në shtresën e pusit pa prekur mjedisin përreth. “Këto investime janë kryer për uljen e nivelit të ndotjes që duhet pranuar se më parë ka qenë i lartë” tha drejtori i departamentit të mjedisit, Ylli Fejzullahu.

Ai sqaroi se është realizuar eliminimi i shkarkimit të naftës në kolektorin e Roskovecit dhe në lumin Gjanicë. “Nëpërmjet sistemit të riciklimit është përmbushur mosndotja e lumit dhe kolektorit dhe pritet një përmirësim i ndjeshëm i situatës në zonën bregdetare”, tha Fajzullahu, i cili saktësoi se këto operacione kishin kushtuar 40 milionë lekë.

Por këto deklarata të tij kundërshtohen nga kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqaj, dhe nga kryetari i Komunës Topojë, që administron plazhin e Semanit.

Zeqaj thotë se industria e naftës vazhdon të jetë ndotësi kryesor i lumit Gjanicë, që përshkon mes përmes Fierin. Madje, sipas kryebashkiakut të Fierit, niveli i ndotjes është rritur ditët e fundit. “Deklaratat për investime që bën “Albetrol”, për mua janë thjesht justifikime për paratë e harxhuara”, tha Baftjar Zeqaj. I të njëjtit mendim është edhe Sotir Zarka, kryetari i Komunës Topojë. Ai thotë se ndotja e bregdetit të Semanit mbetet në nivele të larta.

Ndërkohë, sindikatat e naftës, si dhe të tjera organizma sindikaliste në Fier akuzojnë kompaninë shtetërore të naftës se po deklaron investime inekzistente për mjedisin, për të mbuluar abuzimet e kryera.

Popularity: 1% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com