Amnistia Fiskale: Opozita e braktis, Bode nuk ndryshon tarifat

Ndërsa projektligji i propozuar për Amnistinë Fiskale diskutohej në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, opozita u largua pasi kërkoi që projektligji në fjalë të kishte një kalendar të përcaktuar, në mënyrë që të mos jetë një ligj elektoral. Deputetët e maxhorancës këmbëngulën për uljen e tarifave, siç kishte propozuar dhe ritheksuar edhe dje në Komision, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, por Ministri Bode, i pranishëm në komision i cilësoi kërkesat e biznesit si të pakuptimta. Bode argumentoi përgjigjen e tij, duke theksuar se, tarifat janë shumë të ulëta dhe simbolike. “Nëqoftëse do të rivlerësojmë një aset 3 mln lekë, ai (personi juridik) do të paguajë 6 mln lekë e do ta amortizojë nesër 10 mln lekë. Fitimi neto në këtë rast është 3 mln lekë. Parapaguan 60% të fitimit që do të marrë nesër. Prandaj nuk ka sens kërkesa e biznesit, taksa është simbolike. Rivlerësimi sot është zero. Por nëqoftëse doni të amortizoni, parapaguani 60%” – u shpreh ministri Bode. Deputeti socialist Erion Braçe e cilësoi sjelljen e ligjit të Amnistisë në Komision, si një provokim për opozitën. Sipas tij, ky ligj kërkon një kalendar të posaçëm, që grupet e interesit të kenë mundësi të diskutojnë gjatë e gjithashtu edhe komisioni të ketë kohën e tij për diskutim. Kreu i komisionit, Edmond Spaho debatoi me deputetin Braçe, duke iu drejtuar se kërkesat e tij janë strukturë jashtë komisionit. Ndërsa nënkryetarja socialiste e Komisionit, Mimi Kodheli, e quajti alogjike mënyrën se si ky projektligj është sjellë në komision vetëm 24 orët e fundit. “Partia Socialiste është një forcë e rëndësishme politike. Është në mbrojtje të interesave të konsumatorit dhe biznesit. Për shkak të pasojave që sjell, situatës politike dhe ekonomike, të presësh një ligj të tillë brenda 24 orëve është jashtë çdo logjike. Të futet në kalendar. Po flasim për mld lekë dhe padyshim për para që lidhen me ekonominë informale. Propozoj ta fusim në kalendar në Konferencën e Kryetarëve, në të kundërt, ky është një ligj i bërë natën. Na ka ardhur vetëm dje pasdite. Po shpejtoni të bëni një ligj se e kuptoni që jeni në rrugën e mundjes”, – u shpreh deputetja Kodheli. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka shprehu edhe një herë në Komision propozimet e biznesit, ku fokusi ishte gjithpërfshirja e këtij procesi, ulja e tarifave, vetëdeklarimi të shoqërohet me kontrollet e administratës tatimore, sipërmarrja të ketë garanci të plotë, të përfshihen në ligj të gjitha llojet e detyrimeve, të mos ketë rikontrolle, por të merret i mirëqenë vetëdeklarimit. Ministri Bode theksoi se tarifat nuk diskutohen, ato janë më të ulta se norma vjetore e interesit dhe ka për qëllim shtrëngimin e instrumenteve të kontrollit pas Amnistisë. Debat në Komision ngjalli edhe tarifa prej 1%, që individët duhet të paguajnë në bazë të këtij ligji, për apartamentet e palegalizuar. Deputeti demokrat, Gjok Uldedaj propozoi që tarifa të ishte 0,5 %, ndërsa ministri Bode theksoi se 1% është falas. “Të gjitha pasuritë e individëve që shiten në treg dhe që kanë diferenca midis çmimit të blerjes, në momentin fillestar dhe atij të shitjes në tregun aktual, mbi këtë shumë paguhet 10 %. Më konkretisht, nëse një apartament i blerë në vitin 2002, kushtonte 30 mijë USD, dhe nëse shitet sot kushton 100,000 Euro, ka një diferencë në vlerë prej rreth 100,000 USD, çka do të bënte që tatimi në masën 10% të ishte 10,000 USD. Duke bërë rivlerësimin, qytetari do të paguajë vetëm 1,000 USD. Pra është një lehtësim për tregun imobilar në Shqipëri, duke i krijuar mundësi të gjithë individëve që të rivlerësojnë pasuritë e tyre” – u shpreh Bode.

Debati

Braçe: Mënyra se si e keni sjellë këtë ligj është provokim ndaj opozitës. Duhet kalendar i posaçëm për grupet e interesit dhe komisionin.

Spaho-Braçes: Je jashtë procedurës.

Braçe-Spahos: Po flas për struktura jashtë Komisionit që nuk i keni futur në Komision.

Spaho: Pikërisht, janë struktura jashtë komisionit, t’i qëndrojmë strukturave të komisionit.

Kodheli: Të futet në kalendar. Po flasim për miliarda lekë dhe padyshim për para që lidhen me ekonominë informale. Propozoj ta fusim në kalendar në Konferencën e Kryetarëve, në të kundërt, ky është një ligj i bërë natën. Na ka ardhur vetëm dje pasdite. Po shpejtoni të bëni një ligj se e kuptoni që jeni në rrugën e mundjes

Uldedaj: Rivlerësimi i banesave të ketë tarifën 0,5%

Bode: 1% është falas

Kush përfiton nga Amnistia Fiskale

-Përfitojnë individët dhe ata janë të lirë të deklarojnë të gjitha shumat monetare që disponojnë dhe që i kanë të palegalizuara, duke paguar një vlerë prej 3% të shumës, duke i futur në sistemin bankar, sistemin financiar apo në forma të tjera të investimit të tyre në ekonominë shqiptare kundrejt një pagese prej 3 %.

-Individët do të ftohen për të rivlerësuar kapitalet e tyre fikse, përmes një pagese prej 1 % të shumës që ai vlerësohet.

-Individëve u falen të gjitha taksat dhe tatimet të papaguara deri në fund të vitit 2010, qofshin këto taksa vendore apo kombëtare.

-Detyrimet e papaguara për makinat e importuara deri në fund të vitit 2010, u falen gjobat dhe interesat e llogaritura në doganë, nëse paguhet 50% e principalit të detyrimit.

-Të gjithë ata qytetarë që kanë të regjistruar biznes të vogël dhe që deklarojnë shuma monetare në bazë të këtij ligji, do të konsiderohen se i kanë paguar të gjithë detyrimet tatimore konform ligjit, deri më 31 Dhjetor 2010. Tarifa e këtij legalizimi është sa ajo e qytetarëve, pra 3 %.

-Të gjithë të vetëpunësuarve, u falen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe gjobat e kamat vonesat e papaguara deri më 31 Dhjetor 2008. U falen gjithashtu dhe 2 vitet e fundit, nëse paguajnë detyrimin e tyre për sigurime për vitin 2011. Kjo kategori, nëse dëshiron të paguajë detyrimet për kontributet, u falen gjobat dhe kamatë vonesat për të gjithë periudhën e kaluar.

-Personave fizike, biznes i vogël, u falen gjobat dhe kamat vonesat për të punësuarit e tyre, deri më 31 Dhjetor 2010.

-Biznesit të vogël, i cili është pajisur me kasë fiskale deri me 28 Shkurt 2011, u falen gjobat e marra për mosvendosjen e këtyre pajisjeve. Të gjithë ata që nuk janë pajisur me kasë fiskale, deri në afatin ligjor 28 shkurt 2011, janë të detyruar të paguajnë detyrimet ligjore dhe njëkohësisht penalitetet e reja që ne propozojmë, të vendosen pas kësaj amnistie.

-Të gjithë kompanitë shqiptare që kanë në bilancet e tyre pasuri të paluajtshme dhe makineri pajisje me vlerë poshtë vlerës së tregut, mund të bëjnë rivlerësimin e tyre duke i pasqyruar në bilancin e vitit 2011. Tarifa për pasuritë e paluajtshme është 6% e diferencës që rrjedh nga rivlerësimi dhe 7% për makineri e pajisje.

-Biznesit i falet gjithashtu borxhi tatimor e doganor, me të gjithë komponentët e tij, gjoba dhe kamatvonesa deri më 31 dhjetor 2008.

-Bizneseve që paguajnë 50% të principalit të borxhit doganor për vitin 2009, u falen detyrimet që lidhen me këtë borxh, ndërsa për vitin 2010 nëse paguajnë 100% të principalit të borxhit doganor, u falen gjobat dhe kamatëvonesat.

-Bizneseve që paguajnë 30% të principalit të borxhit tatimor për vitin 2009, u falen detyrimet që lidhen me këtë borxh.

-Bizneseve që paguajnë 50% të principalit të borxhit tatimor për vitin 2010, u falen të gjitha detyrimet që lidhen me këtë borxh.

-Bizneseve u falen kamat vonesat dhe gjobat për detyrimet për sigurimet shoqërore e shëndetësore të papaguara.

-Bizneseve u krijohet mundësia që të vetëdeklarojnë detyrimet tatimore e doganore të padeklaruara për periudhën deri më 31 Dhjetor 2010 dhe nëse paguajnë 50% të diferencës që rrjedh nga ky vetëdeklarim, u falet pjesa tjetër së bashku me gjobat e kamatvonesat që do të aplikoheshin. Kur amnistia shoqërohet me fshehje, kontrollet e mëvonshme do të ushtrojnë penalitetet në rritje.(MAPO)

Popularity: 3% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com