Prokuroria: U nxirrnin pengesa invalidëve, duke i detyruar të paguanin ryshfet
Dy mjekë kanë rënë në pranga, një i tretë është shpallur në kërkim dhe disa të tjerë janë duke u hetuar nga Policia dhe Prokuroria e Fierit të akuzuar për korrupsion gjatë dhënies së vërtetimeve për pension invaliditeti.
Policia e Fierit ka finalizuar mbrëmjen e së enjtes operacionin e koduar “Shkodrani”, pas të cilit ka prangosur një mjeke eksperte pranë degës rajonale të Sigurimeve Shoqërore dhe një mjek kirurg të spitalit të Fierit, të cilët ishin anëtarë të Komisionit Mjekoligjor për Njohjen e Pensioneve të Invaliditetit (KEMP).
E para që ka rënë në prangat e policisë ka qenë mjekja Tushe Qalliu. Policia sqaroi ajo është arrestuar me akuzën për korrupsion pas një hetimi disamujor të njësisë Task Forcë pranë Prokurorisë së Fierit. Burimet zyrtare të Task Forcës pohojnë se hetimet kanë nisur nga prokuroria dhe policia në muajin mars të këtij viti, pas informacioneve të marra për abuzimet dhe shpërdorimin e detyrës që kryente mjekja. Për të vërtetuar dyshimet, hetuesit kanë përdorur edhe metodën e përgjimit. Pas sigurimit të provave të pakundërshtueshme, hetimit në fjalë i është “vënë vula”, duke u prerë fleta e arrestit për mjeken Tushe Qalliu. Prangosja e saj është kryer në banesë dhe mësohet se nga ana e saj nuk është bërë asnjë kundërshtim, pasi më parë kishte marrë dijeni se ishte nën hetim.
Për të njëjtën akuzë është arrestuar edhe mjeku kirurg Leon Shpataraku, i cili është anëtar i komisionit të KEMP-it dhe funksionar i Drejtorisë së Spitalit Rajonal të Fierit. Ndërkohë, është shpallur në kërkim mjeku psikiatër Stavri Furrxhi, i cili nuk është gjetur në banesë. Psikiatri Furrxhi, gjithashtu anëtar i komisionit të KEMP-it në Fier, mësohet se është larguar për në Greqi pasi ka mësuar se po hetohej nga prokuroria për abuzimet.
Burimet nga njësia Task Forcë pranë Prokurorisë së Rrethit të Fierit bëjnë të ditur se nën hetim janë edhe mjekë të tjerë të Komisionit Mjekoligjor për Pensionet e Invaliditetit. Mjekët e arrestuar dje dyshohet se u merrnin para të interesuarve në këmbim të dhënies së pensionit të parakohshëm si invalid. Shpesh këta mjekë u nxirrnin pengesa atyre që i plotësonin kriteret, duke u bërë presion që të paguanin para për të përfituar pension. Nga përgjimet ka dalë se ata merrnin shuma të ndryshme lekësh, që varionin nga 30 në 90 mijë lekë, në këmbim të plotësimit të dokumentacionit për përfitimin e pagesës së paaftësisë.
Popularity: 2% [?]





November 15th, 2010 me 9:37 am
Eshte dhelper e vjeter Stavri.