Asnjë efektiv policie, që është punësuar në këtë strukturë gjatë vitit 2007, nuk është larguar nga puna pas urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Burime nga Zyra e Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier bëjnë të ditur se që nga maji i vitit 2007 deri më sot janë punësuar rreth 30 punonjës të rinj police. Shumica e tyre janë punësuar në Komisariatin e Policisë së Mallakastrës, ndërsa më pak në Fier dhe Lushnjë. Nuk shpjegohet fakti se pse në Komisariatin e Ballshit janë punësuar 18 policë të rinj, ndërkohë që ky komisariat u prek rëndë nga reforma e vitit 2007. Pothuajse të gjithë policët e rinj kanë konkurruar sivjet për të studiuar në Akademinë e Rendit, por vetëm një pjesë e vogël e tyre kanë arritur të regjistrohen në këtë akademi. Por edhe pse shumica e policëve të rinj janë pa arsimin përkatës dhe nuk kanë mundur të hyjnë në Akademinë e Rendit, krerët e Policisë së Fierit nuk kanë pushuar nga puna asnjërin prej tyre, edhe pse kjo u kërkua me anë të një urdhri të brendshëm nga drejtori i Përgjithshëm Ahmet Prençi. “Urdhri ka mbërritur, por ende nuk kemi marrë orientime nga drejtori i qarkut”, thotë një nëpunës i Burimeve Njerëzore në Policinë e Fierit.
Popularity: 1% [?]




