Inspektorati i Ndërtimit në Bashkinë e Fierit ka hedhur në shesh 200 ndërtime pa leje. Ruspa ndërtimore e bashkisë ka shembur këtë numër ndërtimesh vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008. Ndërsa këto objekte kanë qenë pengesë për investimet publike të bashkisë, shembja e disave prej tyre nuk është mirëpritur nga pronarët. Por burimet zyrtare të Inspektoratit të Ndërtimit shprehen se 200 ndërtimet pa leje kanë qenë në brendësi të lagjeve të qytetit dhe se ruspa ndërtimore i është drejtuar për shembje objekteve pa leje që ndodhen në qendrën e qytetit. Në analizën gjashtëmujore, Inspektorati i Ndërtimit të Bashkisë së Fierit tregon se vetëm për periudhën shkurt-qershor të vitit 2008, fadromat ndërtimor kanë prishur 200 objekte pa leje. Sipas kreut të inspektoratit, Sabaudin Alliaj, mësohet se ky numër i lartë ndërtimesh pa leje ka qenë në të gjitha lagjet e qytetit. “Bëhet fjalë për ndërtimet pa leje që ishin në rrugët e brendshme të qytetit të Fierit. Evidentimi i tyre është realizuar edhe falë ndërhyrjes me investime publike që ka bërë bashkia, me anën e të cilave është gjetur edhe rruga më e përshtatshme për t‘i prishur këto “andra” ndërtimore që ishin pa leje”, u shpreh Sabaudin Alliaj, kreu i Inspektoratit të Ndërtimit në Bashkinë e Fierit.
Popularity: 1% [?]




