Kategoria | Lajme

Bllokimi i ARMO, protestojnë punëtorët

FIER/ BALLSH. Punëtorët protestojnë ndaj bllokimit të kompanisë ARMO. Në rafinerinë e Fierit, rreth 700 punëtorë hynë me forcë në mjediset e saj, duke nisur punën si në ditë të zakonshme. Ata hoqën shiritat e Tatimorëve për t’u futur brenda rafinerisë. Të njëjtën masë paralajmëruan dje dhe rreth 800 punëtorë të uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh. Për punonjësit, ky konflikt shtet-privat po cenon jetën e tyre nëse do të vazhdojë gjatë, prandaj gjejnë si zgjidhje vetëm forcën.
PROTESTA
“Hapja e derës është e vetmja rrugë që tonelata të tëra të bitumit të mos ngrijnë dhe që të mos hidhen dëm miliona lekë. Ky vendim ka qenë tërësisht yni për vetë faktin se ne ia dimë rëndësinë humbjes në rast se botet qëndronin edhe një ditë të pashkarkuara. Këto janë miliona lekë që hidhen dëm në rast se ne duhet të prisnim. Shteti le të zgjidhë problemet me firmën, ne do të punojmë”, ka deklaruar Lulëzim Murati, kryeinxhinier i UPN-së. Punëtorët janë ndalur në faktin se pezullimi i punës i dëmton ata direkt nga ana ekonomike, duke qenë se nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të siguruar të ardhurat e tyre. “Nëse mbyllet rafineria mbetemi të papunë dhe nuk kemi se ku të ushqehemi. Kemi kohë që punojmë në këtë rafineri dhe nuk do të lejojmë që ajo të mbyllet sa hap e mbyll sytë. Pezullimi i punës na bën që të thyejmë rregullat e të futemi me forcë në vendet tona të punës”, kanë vijuar punëtorët. Pas futjes së tyre në rafineri, puna ka vijuar me ritmet normale. Në oborrin e rafinerisë hynin të gjitha botet e bllokuara jashtë portës, të cilat plotësonin procedurat përkatëse dhe vijonin punën normalisht. Në ambientet e jashtme të uzinës kanë qenë të shumtë punëtorët që kanë qëndruar aty për disa minuta, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet e tjera, përfshi këtu Policinë e Shtetit dhe atë tatimore. E njëjta situatë e tensionuar ishte dhe në uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh. Më shumë se 800 punëtorë, të gjithë njëzëri, kanë kërkuar heqjen e bllokadës së bërë nga tatimorët, për t’iu rikthyer normalisht punës. Këta punonjës theksuan se nëse deri ditën e sotme nuk gjendet një zgjidhje, ata do të futen forcërisht në uzinë e do t’i rikthehen punës. “Do të futemi me forcë për të vazhduar punën, sepse në të kundërt mbetemi në mes të katër rrugëve”.
KOMPANIA
Nga ana e tyre edhe drejtues të kompanisë kanë theksuar se tatimorët kanë bllokuar punën pa bërë më parë asnjë paralajmërim. Po të njëjtat burime kanë theksuar se çështja do të ndiqet në rrugë gjyqësore, pasi kjo lëvizje po dëmton rëndë ecurinë e punës në ndërmarrje, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Drejtori i uzinës Bledar Myrtaj ka mbështetur protestuesit duke thënë se ata kanë pasur një të drejtë të pamohueshme. Myrtaj theksoi dhe dje se vendimi i Drejtorisë së Tatimeve për të ndërprerë punën në rafineri është komplet e jashtëligjshëm, pasi kompania ka kërkuar autorizim akcize për magazinat tatimore, por ende nuk u është dhënë. “Mospasja e autorizimit nuk do të thotë që shteti nuk llogarit dot akcizën, apo taksat, mbi punën tonë. Përkundrazi, ato janë të llogaritura të gjitha sepse është normale që është vepruar sipas rregullave, faturave të TVSH, gjë që ka kaluar edhe në sitën e ekspertëve të grupeve të kontrollit që kanë ardhur gjatë gjithë këtyre muajve për të kontrolluar rafineritë tona”.

Lamaj: Prishën shenjat tatimore
Kreu i Tatimeve: Ndjekje penale e gjoba punëtorëve

Drejtoria e Tatimeve në Fier paralajmëron me ndjekje penale të punëtorëve, të cilët prishën shenjat tatimore, vendosur në ambientet e uzinës. Halil Lamaj, drejtori i sapoemëruar, pohoi se akti i punëtorëve, duke hyrë në ambientet e punës që ishin bllokuar, ishte i paprecedentë. “Prishja e shenjave tatimore është një vepër penale dhe për këtë punëtorët, kushdo qofshin, do të ndiqen penalisht. Ndërkaq, ju them se për këtë veprim të papërgjegjshëm nuk do të mungojnë edhe gjobat administrative, shumën e të cilave do t’ua komunikojmë më vonë. Gjithçka them e bazoj në ligjin “Për procedurat tatimore’”, theksoi ai. Kreu i Tatimeve në Fier hodhi dje poshtë akuzat e bëra nga ARMO për procedura jo të rregullta në bllokimin e rafinerisë. Sipas Lamajt, gjithçka ka qenë konform rregullave ligjore dhe procedurave tatimore dhe kompania është njoftuar 2 ditë para bllokimit, konkretisht në datën 23 tetor. “Tatimet në Fier thjesht zbatuan urdhrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe të Ministrisë së Financës dhe gjithçka ka qenë konform ligjit”. Gjithashtu, Lamaj tha se ka falënderuar drejtorin e policisë së Fierit, Shemsi Premçi për mbështetjen që i dha tatimeve në këtë aksion.

Popularity: 1% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com