Bajazit Nezha vdiq 3 orë pas mbërritjes në spital. Vijon të marrë jetë njerëzish fenomeni i vetëvrasjes. Një tjetër rast është shënuar në rrethin e Lushnjës mesnatën e së mërkurës duke aguar e enjtja. Një 55-vjeçar në kushtet e depresionit të rëndë, pasojë e varfërisë ekstreme, ka preferuar t’i japë fund jetës duke u vetëhelmuar.
Burimet nga spitali i Lushnjës thanë për gazetën “Shqip” se Bajazit Nezha, banor i lagjes “Loni Dhamo”, ka gjetur dje vdekjen vetëm 40 minuta pas mesit të natës.
Shkak i vdekjes së tij ka qenë intoksikimi. Mjekët e spitalit të qytetit konfirmuan se 55-vjeçari Nezha ishte sjellë me urgjencë mbrëmjen e së mërkurës nga familjarët e tij. Po sipas tyre, ai kishte pasur tension dhe puls të ulët, ndërkohë që ishte mbuluar nga shkuma e bardha që dilte prej gojës. Edhe pse mjekët i kanë dhënë ndihmën e menjëhershme, Nezha nuk ka mundur t’i shpëtojë vdekjes. Rreth tri orë pas mbërritjes në spital zemra i ka pushuar përgjithnjë Bajazit Nezhës. Sasia e lartë e lëndës toksike fostokosinë, nuk i ka lënë shpresë jete 55-vjeçarit, i cili edhe më parë kishte tentuar të vetëvritej, por pa mundur t’ia dalë.
Kështu, pasditen e së mërkurës, në kriza të rënda depresioni Nezha kishte pirë 3 kokrrat e fostoksinës që kishte blerë në treg. Kësaj radhe lënda helmuese e kishte dhënë menjëherë efektin. Ai u gjet në agoni e sipër nga familjarët, të cilët më pas e transportuan me urgjencë për në spital, ku u shua vetëm pas 3 orësh. Policia, e cila është njoftuar nga mjekët e spitalit, pas hetimit të këtij rasti vetëvrasjeje deklaroi se motivi ka qenë gjendja e rëndë ekonomike ku jetonte familja Nezha.
Vetëvrasjet në Fier regjistrojnë prej vitesh një numër të madh viktimash, duke e kthyer qarkun në një nga më problematikët në vend.
Popularity: 2% [?]




