Kategoria | Lajme

Dy kandidatë për Prokurorinë e Fierit

Këshilli i prokurorisë voton me tri vota prokurorin Besnik Cani dhe me dy vota Erion Çelën

Këshilli i Prokurorisë ka votuar dje dy kandidatë për postin e drejtuesit të Prokurorisë së Fierit. Prokurori Besnik Cani ka marrë tri vota, ndërsa prokurori Erion Çela ka marrë dy vota. Sipas burimeve nga akuza qendrore, dy emrat e votuar nga këshilli do t’i propozohen kryeprokurores Ina Rama për drejtuesin e ri të akuzës në Fier. Sipas procedurave, votimi i djeshëm nuk përcakton drejtuesin e ri, por thjesht i propozon numrit një të akuzës qendrore emrat që kanë marrë vota. Vendimmarrja merret nga Kryeprokurorja, e cila i propozon Presidentit transferimin e prokurorit në akuzën e Fierit. Aktualisht, Prokuroria e Fierit drejtohet nga prokurori Besnik Cani, i komanduar nga zyra e prokurorit të përgjithshëm, pasi ish-drejtuesi, Altin Binaj, personi që hetoi dosjen “Ruzhdie”, u transferua si drejtues i akuzës në Durrës. Edhe në atë rast ishte zhvilluar një votim në këshillin e prokurorisë me disa kandidatë. Prokurori Cani që ka marrë shumicën e votave është aktualisht në marrëdhënie pune me Prokurorinë e Tiranës, ku ka punuar në njësinë e përbashkët hetimore Task-Forcë, duke drejtuar hetimet për shumë dosje të krimit ekonomik. Ndërkohë, prokurori Erion Çela punon aktualisht në akuzën e Vlorës, ku ka drejtuar një sërë hetimesh. Tashmë dy më të votuarit presin verdiktin e kryeprokurores dhe më pas dekretin e Presidentit të Republikës.

Popularity: 1% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com