Qytetarët janë prekur nga investimet publike, por nuk kanë marrë dëmshpërblim. Afro 200 banorë të Fierit, pronat e të cilëve janë cenuar nga investimet publike të kryera nga bashkia, nuk janë dëmshpërblyer ende, edhe pse prona u është marrë përpara dy vjetësh. Lajmi konfirmohet jo vetëm nga familjarët e shpronësuar, por edhe nga shefi i departamentit juridik në Bashkinë e Fierit, Luan Çala. Qytetarët kërcënojnë se do të zaptojnë përsëri sipërfaqet që bashkia u ka marrë për të ndërtuar rrugë, ndërkohë që zyra juridike shprehet se procedura po vonohet nga Ministria e Brendshme, si dhe për pasojë të mungesës së dokumentacionit të plotë nga pronarët. Departamenti juridik në bashki ka nxjerrë 200 aplikime për shpronësime, ndërkohë që kryejuristi Luan Çala shprehet për gazetën se vetëm 30 për qind e pronarëve të prekur nga investimet u është njohur deri tani e drejta e dëmshpërblimit, por ende edhe ata nuk i kanë marrë paratë që u takojnë. “Njohja e së drejtës për dëmshpërblim për një numër kaq të vogël pronarësh lidhet me faktin se vetëm kaq kanë paraqitur të gjithë dokumentacionin e duhur pranë zyrës juridike. Kjo shtresë ka pasur edhe vërtetimin e pronësisë, kurse pjesa tjetër e pronarëve, edhe pse mund të jenë pronarë fizikë të sipërfaqeve të prekura nga investimet, nuk janë ende të pajisur me certifikata pronësie. Ndërsa për një pjesë të vogël pronarësh, është Ministria e Brendshme ajo që po vonon procesin e dëmshpërblimit”, thotë kreu i departamentit juridik. Sipas informacionit nga ky departament i Bashkisë së Fierit, rreth 60 pronarëve, edhe pse u është njohur e drejta nga Komisioni i Bashkisë për dëmshpërblim në total të mbi 4000 metrave katrorë truall që është përdorur për zbatim investimesh, ende nuk i kanë marrë në dorë paratë. Procedurat kanë zgjatur në kohë për faktin se për çdo rast merret vendim nga Ministria e Brendshme dhe më pas nga ajo e Financave. Gjatë kësaj jave, pronarët që nuk janë dëmshpërblyer, kanë rifilluar protestat e tyre dhe kërcënojnë se do të ndërhyjnë në sipërfaqet që bashkia u ka marrë për investimet e saj. Protesta e tyre është zhvendosur dje edhe para Prefekturës së Fierit




