Pranohet kërkesa e PD-së për privatizimin e përpunimit të plehrave. “Ndëshkohen” romët. Pas debateve dhe zvarritjes së miratimit të buxhetit për privatizimin e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit, Bashkia e Fierit është duke studiuar mundësinë e dhënies me sipërmarrje të një prej shërbimeve që ofron ajo. Bëhet fjalë për shërbimin më të ri të kësaj ndërmarrjeje, veçimin e mbetjeve urbane në disa kategori. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Shqip” nga kryetari i bashkisë, Baftjar Zeqaj, i cili thotë se riciklimi i mbetjeve urbane kërkon patjetër ndarjen e tyre që në momentin e parë të grumbullimit. Ndërkaq, drejtues të kësaj ndërmarrjeje kanë sqaruar se deri më sot ky shërbim është mundësuar nga komuniteti rom.
“Me zhvillimin që ka sot Fieri, një shërbim i tillë duhej të kishte nisur me kohë. Deri më tani ndarja në kategori e mbetjeve urbane mbulohej nga ndërmarrja e pastrimit dhe nga komuniteti rom. Ky komunitet është cilësuar partneri ynë kryesor, pasi mundëson veçimin e mbetjeve urbane. Pjesëtarë të këtij komuniteti kanë qenë të interesuar për kanoçe, shishe plastike dhe materiale hekuri. Duke marrë këto kategori, mbeteshin vetëm mbeturinat urbane, që ne lehtësisht i groposnim”, tha drejtori i Ndërmarrjes së Pastrimit, Vangjel Ndreko.
Ndërkohë që kryetari i bashkisë dhe një staf i ngushtë i tij, ku bën pjesë edhe drejtori Ndreko, prej dy javësh po studiojnë mundësinë e dhënies me sipërmarrje të shërbimit të sipërcituar.
“Nuk bëhet fjalë për privatizim të ndërmarrjes, por për largim të një shërbimi në varësi të saj. Meqenëse është ofruar nga një kompani e huaj marrja e këtij shërbimi, ne jemi duke marrë vendimin e duhur. Duhet thënë se strategjia e zhvillimit të qytetit parashikon edhe një proces të tillë, pra riciklimin e mbetjeve urbane dhe veçimin e tyre që në momentin e parë, me qëllim që në një të ardhme shumë të afërt, ndarja e mbetjeve të bëhet nga vetë komuniteti”, ka thënë kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj.
Zeqaj ka thënë se përfaqësuesit e kompanisë holandeze, që është ofruar të marrë përsipër këtë proces, kanë kryer dy takime në Bashkinë e Fierit gjatë javës së fundit dhe tashmë po trajtojnë me detaje shërbimin që ofrojnë. Kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqaj, edhe pse është vënë përpara përgjegjësisë për shkrirjen e ndërmarrjes së pastrimit me qëllim votimin e buxhetit, sërish e sheh si të pamundur realizimin e plotë të propozimit të PD-LSI. “Nuk besoj në dhënien e gjithë shërbimeve të ndërmarrjes me sipërmarrje, pasi qyteti i Fierit e ka pasur një gjë të tillë për disa vjet. Më pas është konstatuar se privatët kanë kryer abuzime të mëdha, për të cilat ne si bashki u jemi drejtuar autoriteteve përkatëse. Shërbime të veçanta mund të jepen, por komplet ndërmarrja në asnjë mënyrë, pasi është ende herët”, ka përfunduar Zeqaj.
Me largimin e shërbimit të veçimit të mbeturinave pritet që të ulet numri i punonjësve të ndërmarrjes. Fieri cilësohet si një nga qytetet më të pastër, por përplasjet politike po rrezikojnë që ta kthejnë atë në më të ndoturin.
Popularity: 1% [?]




