Urdhra kontradiktorë për mënyrën e pagesës. Policia nis hetimet dhe bllokon 12 autobote Uzina e Përpunimit të Naftës në Fier prej një jave ka mbyllur procesin e shitjes së karburanteve për firmat kontraktore. Shkak janë bërë dy urdhra të dalë respektivisht në datat 11 dhe 12 nëntor, që kundërshtojnë njëri-tjetrin dhe që në përmbajtje të tyre kanë shitjen e karburantit me parapagim dhe pa parapagim nga ana e blerësit. Përplasja e këtyre dy urdhrave, si dhe bllokimi i shitjes së karburanteve, është kthyer gjithashtu në objekt hetimi për policinë e Fierit, e cila ka sekuestruar mbi 12 autobote me rimorkio, që ishin të mbushur me karburante të ndryshme, për të dalë nga mjediset e Uzinës së Përpunimit të Naftës (UPN).
Sipas burimeve zyrtare të Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit, bëhet e ditur se agjentë të këtij seksioni, të mbështetur nga një numër i madh uniformash blu të policisë së rendit, kanë zbarkuar tri ditë më parë në Uzinën e Përpunimit të Naftës dhe kanë bllokuar të gjithë autobotet e mbushur me karburante të llojeve të ndryshme. Shkak i këtij vendimi të policisë mësohet të jetë bërë mospagesa në dorë nga ana e blerësve të karburanteve. Kreu i Krimit Ekonomiko-Financiar, Maksim Bejko, është shprehur për gazetën “Shqip” se “janë bllokuar shumë autobote, pasi nuk kishin paguar lekët për karburantin që kishin marrë në UPN. Është marrë vendimi për të hetuar këtë proces dhe vendosëm të shkonim/////////, ndërkohë që hetimi po zhvillohet nga krerët e drejtorisë së policisë”. Gjithashtu, policia bën të ditur se në statusin e shoqërisë “Armo” parashikohet që shitja e nënprodukteve të naftës duhet të kalojë menjëherë pas pagesës në bankë të mallit që do të blihet.
Po burime nga Seksioni i Krimit Ekonomik në policinë e Fierit tregojnë për “Shqip” se më datë 11 nëntor, në Drejtorinë e Përgjithshme të kompanisë së naftës “Armo”sh.a., nga varet edhe UPN-ja e Fierit, është mbledhur këshilli mbikëqyrës. Nga mbledhja, ky këshill ka dalë me vendimin Nr.62, ku thuhet shprehimisht: “Këshilli mbikëqyrës, pasi tërhoqi vëmendjen për informimin e pamjaftueshëm për kontratat e lidhura, kërkoi të informohet urgjentisht për të gjitha kontratat dhe veçanërisht për rastet e shitjeve pa parapagim”.
“Në përfundim të mbledhjes, këshilli mbikëqyrës - ‘Armo‘-s në bazë të ligjit nr, 7638 datë 19.11.1992, ‘Për shoqëritë tregtare‘, si dhe në bazë të statusit të shoqërisë ‘Armo‘ vendosi:
Të tërheqë vëmendjen e të gjithë drejtuesve të filialeve për moskryerjes e shitjeve pa parapagim të nënprodukteve të naftës.
Drejtori i përgjithshëm i shoqërisë të paraqesë një informacion të detajuar brenda 12 nëntorit, për të gjitha kontratat e lidhura, si dhe për rastet e shitjeve pa parapagim.
Ngarkohet drejtori i përgjithshëm i shoqërisë për zbatimin e këtij vendimi konform rregullave në fuqi”.
Por, një ditë më pas, më 12 nëntor, një urdhër tjetër i lëshuar nga drejtori i “Armo”-s, si dhe i mbështetur edhe nga drejtori i UPN-së Fier, rrëzoi urdhrin e dalë vetëm një ditë më parë. Në urdhrin e datës 12 nëntor thuhej se një prej firmave kontraktore të UPN-së mund të blejë nënproduktet e naftës jo duke kryer më parë pagesën, por duke e lënë pagesën për një kohë tjetër. Shprehimisht, në urdhrin e 12 nëntorit shkruhet: “Pagesa e kontratës së lidhur mes “Armo” dhe firmës “Kuid” të bëhet me prapapagesë”. Këto dy urdhra janë marrë nga policia e Fierit, e cila po heton për një rast të hapur abuzimi.
UPN ndërron tre
drejtorë në 15 ditë
Brenda dy javësh, kur dhe është shfaqur problemi i shitjes së nënprodukteve të naftës me ose pa parapagim, tre drejtues ka parë Uzina e Përpunimit të Naftës në Fier. 15 ditë më parë, Ilir Dulla ka qenë drejtori i UPN-së së Fierit, i cili në mënyrë të papritur u shkarkua për t‘u zëvendësuar nga Agim Shala. Shala drejtoi UPN-në e Fierit për 10 ditë dhe më datën 12 nëntor, kur dhe doli urdhri i dytë për të shitur naftën dhe nënproduktet e saj pa parapagim, u largua nga detyra. Në orën 21:00 të mbrëmjes së 12 nëntorit, me anën e një faksi drejtori me vetëm 10 ditë në detyrë, Agim Shala, u zëvendësua nga Tanush Zagorçani. Ky i fundit është i komanduar, ndërkohë që pritet që një tjetër person ta zëvendësojë atë.




