Këshilli i Qarkut të Fierit organizoi analizën e aktivitetit ekonomik të vitit 2008 dhe miratoi projekt-buxhetin e vitit 2009. Në këtë takim u miratua dhe organika e Këshillit të Qarkut, drejtorive përkatëse dhe paga e punonjësve, si dhe një sërë projekt-vendimesh që lidhen me nxjerrjen e mallrave jashtë inventarit, me tarifat e taksave vendore, si dhe kontributin financiar të bashkive dhe komunave.
Diskutimet më të nxehta të takimit, të zhvilluar në mjediset e bashkisë, u përqendruan në analizën ekonomiko-financiare dhe në miratimin e buxhetit të këtij viti. Kryetarët e komunave kërkuan një shpërndarje sa më të drejtë të projekteve dhe që investimet të jenë në raport të drejtë me numrin e popullsisë, rëndësinë gjeo-strategjike, si dhe shkallën e nevojës që paraqesin komunat. Kreu i Këshillit të Qarkut, Luan Muçaj, u shpreh i kënaqur për shumën e transfertës së pakushtëzuar (grantit), të akorduar nga qeveria. “Për këtë vit, vlera e grantit është 81.2 milionë lekë, ose rreth 2.9 milionë lekë më shumë se vitin e kaluar”, pohoi Muçaj. Ai vlerësoi punën e Drejtorisë së Urbanistikës, e cila ka realizuar rreth 15 projekte për rikonstruksionin e rrugëve dhe disa plan-studime për shtrirjen e rrjetit të biznesit. Muçaj pati kritika për mosrealizimin e të ardhurave vendore gjatë vitit 2008, në masën 77,7 për qind, dhe vërejti se kjo ka sjellë probleme në mungesën e investimeve për mirëmbajtjen e rrugëve rurale. Por këshilltarë të Këshillit të Qarkut thanë se ky institucion ka marrë fondet më të ulëta në vend. Ervin Koçi, njëri prej tyre, tha për “Shqip” se “Këshilli i Qarkut të Fierit gëzon fonde shumë të ulëta, ndërkohë që për pagesat dhe të ardhurat që i siguron qeverisë, është i dyti në vend pas Tiranës. Është qeveria ajo që duhet të shtojë fondet për Këshillin e Qarkut të Fierit”.
Popularity: 1% [?]





January 29th, 2009 me 2:48 pm
leke per fierin!!!ore leke per te teeeere…!!!!!!dhe leket atje ku duhen….jo vetem neper xhepa!!!mbuloni ndonje pellgace…skalojme dot neper rruge kemi frike mos biem brenda!!!…nuk dim as note