Nga 32 punonjës të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, të cilët morën pjesë në kualifikimin gjashtëmujor të zhvilluar nga Akademia e Policisë së Rendit gjatë vitit 2008, vetëm gjysma e tyre mundi të merrte provimet përfundimtare. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Seksionit të Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier. Ato thonë se në shkallë drejtorie,
pra nga Komisariatet Lushnjë, Fier e Mallakastër janë dërguar për kualifikim gjashtëmujor 32 efektivë policie të gradave të ndryshme. Kryesisht në këtë shkollë kualifikimi kanë shkuar policë të rolit bazë, të cilët kanë më shumë se 10 vjet punë në Policinë e Shtetit. Por, mes 32 pjesëmarrësve në kurs kualifikimi, mësohet se tetë ishin policë të veshur në periudhën e fundit si të tillë. Nga Seksioni i Burimeve Njerëzore, si dhe nga Seksioni i Vlerësimit të Figurave në drejtorinë e policisë së qarkut mësohet se vetëm gjysma e policëve nxënës mundën të merrnin notë kaluese në provimet përfundimtare. Numri i saktë i policëve që kaluan është 16. Të ndarë në komisariate me rezultat më të mirë në formimin e tyre si policë kanë dalë uniformat
që janë dërguar nga Komisariati i Lushnjës, ndërsa Komisariati i Ballshit dhe ai i Fierit mësohet se kanë regjistruar numrin më të madh të policëve mbetës. Sipas vetë policëve që morën pjesë në
kursin gjashtëmujor të kualifikimit, gjatë pesë muajve të parë ata morën lëndë formuese në formën e leksioneve, ndërsa në muajin e fundit iu nënshtruan testimeve të njëpasnjëshme për të gjithë materialin e dhënë si lëndë mësimore. Tematika e mësimit konfirmohet se ishte e larmishme, por ishte përqendruar më shumë në menaxhimin e situatave të emergjencës nga uniformat blu. Edhe pse kishin vite në radhët e policisë, policët e Fierit nuk mundën të implementonin dhe të thithnin shpejt metodikat e reja të një polici, duke çuar kështu veten drejt ngeljes në kurs. Por, megjithëse nuk e kaluan testin e kursit të kualifikimit, shumë nga policët mbetës kanë aplikuar edhe për ngritje në gradë.




