Kategoria | Lajme

Grabitja e karburantit, dyshohet roja 20-vjeçar

Një ditë pas grabitjes me maskë dhe armë të një karburanti në rrugën kombëtare Fier-Lushnjë, policia lokale ka zyrtarizuar se i dyshuari kryesor i saj është punonjësi i karburantit, 20-vjeçari Denis Saraçi. Sipas burimeve zyrtare të Komisariatit të Lushnjës, bëhet e ditur se dje janë marrë për t‘u pyetur nga policia mbi 20 të rinj të qytetit dhe rrethinave të tij, që konsiderohen si kontingjent krimi. Nga të gjithë të shoqëruarit nuk është mundur të gjendet autori i grabitjes me maskë e armë të ndodhur në të aguar të ditës së enjte. Burimet zyrtare të policisë lokale tregojnë se pronari i pikës së karburantit “Kastrati”, Adriatik Tushe, ka thënë për policinë se “një prej punonjësve dhe pikërisht ai i grabituri kishte vetëm katër ditë që ishte marrë në punë dhe pikërisht atij i ndodh grabitja e dyshimtë”. Por dyshimi i policisë është përforcuar edhe nga punonjësi tjetër i karburantit, i cili ka hedhur poshtë regjistrimin e një grabitjeje me armë e maskë. Kështu, duke mbyllur rrezen e hetimit, burimet zyrtare tregojnë se i dyshuari kryesor është 20-vjeçari Saraçi, lindur e banues në Savër të Lushnjës, e që prej katër ditësh ishte punësuar si punonjës pranë pikës së karburantit “Kastrati”. Policia thotë se ende nuk ka provat e duhura për të konkretizuar autorin përfundimtar, ndërkohë që hedh dyshimet se ai mund të jetë bashkëpunëtor në grabitjen e stisur. Në të aguar të ditës së enjte është denoncuar se ka ndodhur grabitje me maskë dhe armë. Sipas denoncuesit, që tashmë është një prej të dyshuarve, Denis Saraçi, mësohet se persona të armatosur dhe me maska në kokë e kanë lidhur atë në një nga tubat e karburantit dhe i kanë marrë shumën e 600 mijë lekëve, të cilat i kishte në xhep. Kjo shumë ishte siguruar nga shitjet e karburantit gjatë natës. Gjithashtu, edhe në arkën e faturave të distributorit është marrë shuma e 200 mijë lekëve. Policia, edhe një ditë pas kësaj ngjarjeje, shprehet e mendimit se kjo grabitje është e stimuluar.

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu