Sasia e marijuanës u kap në mëngjes herët, ndërsa trafikantët pasdite. Njësiti i shërbimit të Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë së Kakavijës ka bllokuar dje në mëngjes 101 kilogramë marijuanë, që transportohej për në Greqi. Policia Kufitare njoftoi se gjatë kryerjes së shërbimit, rreth orës 01:30 të mëngjesit të djeshëm, rreth 3-4 km larg kufirit shtetëror Shqipëri-Greqi në vendin e quajtur Kthesa e Çeçemit të aksit rrugor Vrisera -Llongo, është zbuluar në një automjet i cili lëvizte me ngadalë në drejtim të kufirit rreth 101 kg marijuanë. Sipas komunikatës zyrtare, “…njësiti i policisë kufitare është afruar në distancë, por personi që drejtonte automjetin kur pa forcat e policisë ka devijuar rrugën duke u futur anës lumit në rrapishte. Aty ka braktisur mjetin dhe duke përfituar nga errësira dhe mjegulla që kishte anës lumit është larguar me shpejtësi”. Njësiti kufitar ka njoftuar menjëherë forcat e tjera të Stacionit të Policisë së Kakavijës dhe të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, të cilat kanë bërë rrethimin e zonës. Gjithashtu, në vendngjarje ka shkuar edhe grupi hetimor, i cili nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka konstatuar në mes të rrapeve në anën e lumit, një veturë tip “Nissan Micra” me targa TR 8710 L, të mbyllur, brenda së cilës dalloheshin disa pako të mëdha të mbështjella me letër natriban, ku dyshohej se kishte lëndë narkotike. Nga policia është bërë transportimi i këtij mjeti me karrotrec për në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ku dhe është bërë hapja e tij. Në mjediset e komisariatit është bërë më pas kontrolli i automjetit dhe në brendësi të tij janë gjetur katër çanta të mëdha shpine të mbushura me pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë. Secila pako kishte një peshë nga 5,5 kilogramë deri në 6 kilogramë. Nga peshimi i drogës së kapur është konstatuar se bëhej fjalë për 101 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë. Gjatë kontrollit në kabinë të mjetit dhe nga informacionet e mbledhura në rrugë operative mësohet se specialistët e sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë mundur të identifikojë dhe të shpallin në kërkim personat që po trafikonin këtë sasi droge dhe kanë organizuar një operacion për kapjen e tyre. Pas shumë kontrollesh të bëra në vijën e kufirit dhe në akset rrugore në territorin e fshatrave Jorgucat, Kakavijë, Vrisera dhe Koshovicë, rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, policia arriti të kapte në aksin rrugor Vrisera – Llongo katër shtetas të dyshuar për trafikun e 101 kilogramëve të marijuanës së sekuestruar në mëngjes. Këta persona janë Klevin Tomorri, 24 vjeç, Andi Nazëraj 18 vjeç, Ervin Saliaj, 24 vjeç dhe Shkëlzen Lamçe, 24 vjeç, që të katërt banorë të fshatit Kuman të Rrethit të Fierit. Sipas policisë, këta katër shtetas ishin rekrutuar nga një bashkëfshatar i tyre, 26-vjeçari Ervin Hoxha, i cili është organizatori kryesor i trafikut të kësaj lënde narkotike, por nuk është kapur ende nga policia.
Popularity: 1% [?]




