Kategoria | Lajme

KQZ miraton me debate rezultatet e Fierit. Nuk hapen 9 kutitë

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur sot të mos lexojë votat e KZAZ nr.20 të qarkut të Fierit, të shmëdebatuarat kuti ku PS pretendon mandatin e 9 të deputetit. Kryetari Ristani ka dekalruar se situata po tensionohet për të bërë pis zgjedhjet, pasi me ligj këto kuti nuk mund të hapen në këtë moment. Por vendimi i KQZ-se dhe tabelat që ka sjellë KZAZ mund të ankimohen më vonë.

Nënkryetarja Subashi që ka mbrojtur gjithnjë tezën e hapjes së 9 kutive, ka deklaruar se “kutitë duhet të hapen pasi ato ishin të rregullta në momentin që janë marrë në dorëzim dhe anëtarët e KZAZ nr.20 në mënyrë abuzive nuk kanë shënuar rezultatin në tabelat përmbledhëse të rezultateve. Ajo shkon më tej duke akuzuar Ristanin se ka qenë ai që ka udhëzuar komisionerët që të mbyllin sa më shpejt këtë çështje dhe të plotësojnë tabelat, ndërsa situata në Fier po tensionohej (nata e 1 korrikut). Në përfundim të mbledhjes, KQZ me 4 vota pro dhe 3 kunder miratoi tabelat e rezultateve të 7 KZAZ-ve të Fierit, duke mbyllur procesin në këtë qark.

Gjatë debateve në mbledhje, nënkryetarja Subashi argumentoi se: “Në qarkun e Fierit ka tre kategori çështjesh: Tre qendra votimi ku nuk është votuar fare por nuk e diskutojmë sot. Kategoria e mospërfshirjes në rezultat të qendrave të votimit të cilat kanë një rezultat. Janë marrë në dorëzim kutitë e rregullta dhe KZAZ në mënyrë abuzive s’ka nxjerrë rezultatet. Dhe kemi dy qendra votimi të KZAZ nr. 20 që i janë numëruar votat është hartuar dhe akti përkatës dhe përsëri nuk është përfshirë në tabelat e rezultateve. Në bazë të ligjit KZAZ-ja nuk fut në rezultat vetëm kutitë e parregulllta dhe jo kutitë që vetë kjo KZAZ i merr në dorëzim si të rregullta. Në bazë të ligjit subjektet zgjedhore kanë paraqitur ankesa sepse në Fier KZAZ-të dhe grupet e numërimit në kundërshtim me ligjin nuk i kanë përfshirë 2 qendrat e votimit në tabelat e rezulateve përmbledhëse dhe për këtë keni përgjegjësi edhe ju z.kryetar pasi ju keni thënë komisionerëve mbylleni këtë çështje sa më shpejt sepse nëse ka pakënaqësi e zgjidhim ne në KQZ”.

Të tej ajo vijon se “problematika e Fushë-Kuqes është e njëjtë me rastin e Fierit. KZAZ nuk ka patur procesverbal në këto kushte e kemi miratuar këtu numërimin e 6 kutive”.

Këtë diskutim e vijon kryetari i KQZ-së, Arben Ristani: “Në rastin e Lezhës KZAZ s’kishte bërë tabelë përmbledhesë s’kishte miratuar 6 kuti, sepse njerëz të pautorizuar krijonin tension në qendrën e numërimit, ne ndërhynë duke i marrë këtu kutitë dhe kemi vendosur bashkarisht për hapjen e tyre. Fieri nuk është i njëjtë, komisioni zonal atje ka marrë një vendim, atë për mospërfshirjen e këtyre kutive në tabelat përmbledhëse të rezultateve. Ne iu kemi thënë plotësoni tabelën përmbledhëse dukeqenëse ka një vendimmarrje atje. Ndaj këtyre tabelave mund të ankimohet si edhe për vendimet tona. Kështu thotë ligji, ata që kanë ankesë ta paraqesin atë, sepse aktualisht ka një rezultat nga KZAZ-ja. Tani nuk jemi në momentin e hapjes së kutive sepse nuk na e lejon ligji. Mbyllet çështja për KZAZ-në nr 20 të Fierit”.

Me tej ai shton “dhe me këto veprime tentohet për të goditur KQZ-në. Janë të padrejta, janë deklarata për të bërë pis KQZ-në, për të treguar se Shqipëria nuk është e mundur të bëjë zgjedhje të ndershme”.

Ristani vazhdon mbledhjen duke iu drejtuar administratës se “sa nga KZAZ-të e Fierit kanë sjellë rezultatet”. Sipas juristes, 6 nga 7 KZAZ-te e Fierit i kanë sjellë rezultatet dhe vetëm ajo me nr 23 kishte një ankesë nga kryetari i kësaj KZAZ-je. KQZ hodhi në votim marrjen e vendimit për KZAZ nr. 23 dhe me shumicë votash ajo kaloi. Natyrisht vetëm me votat e 4 anëtarëve të djathtë në këtë komsion. Vendimi kishte të bënte me korrigjimin e tabelave të kësaj KZAZ-je.

*******

Miratohen tabelat përfundimtare të të gjitha KZAZ-ve të Shkodrës

ora 13:00

Pak minuta me parë u miratua pa votat e përfaqësuesve socialist në KQZ, tabela përfundimtare e rezultateve të Qarkut Shkodër. Sipas relacionit shoqërues të vendimit, tabelat përfundimtare mbështeten në tabelat përmbledhëse të rezultateve të sjella nga çdo KZAZ. Pas disa saktësimeve nga administrata e KQZ-së për dy KZAZ të këtij Qarku, përfaqësuesit e opozitës në Komision votuan kundër vendimit. Sipas tyre, rezultatet e dy qendrave të votimit, nuk ishin përfshirë në tabelat përmbledhëse të miratuara nga komisionerët e KZAZ-së përkatëse. “Të gjitha QV-të që janë marrë në dorëzim si të rregullta duhet të ishin të përfshira në rezultat. Përderisa kjo nuk është përmbushur nga KZAZ duhet ta bëjë KQZ-ja, pasi kjo përbën një problem thelbësor për rezultatin zgjedhor. Mungesa e dy QV-ve të marra në dorëzim dhe të mospërfshira në tabelë më duket e pavend”, u shpreh nënkryetarja Subashi, përfaqësuese e PS-së në komision. Kjo u hodh në votim dhe u rrëzua, sepse 4 anëtarë të KQZ votuan për miratimin e rezultateve të Shkodrës dhe 3 për mosmiratimin e tyre.

KQZ rrëzon kërkesën e LZHK-se

sot, ora: 12:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi mesditën e sotme kërkesat e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar për rinumërim dhe rivlerësim të votave në disa KZAZ të Qarkut të Tiranës. LZHK, e cila në votimet e 28 qershorit kryesonte koalicionin e djathtë “Poli i Lirisë”, përmes ankesës së saj pranë komisionit zgjedhor kontestoi tabelën përmbledhëse të rezultateve në KZAZ-të nr. 45, 47, 49 dhe nr. 51 të Qarkut Tiranë, duke kërkuar rinumërim dhe rivlerësim të votave.

Anëtarët e KQZ-së refuzuan t’i pranojnë këto ankimime të paraqitura nga LZHK, pasi, sipas tyre, ato nuk respektojnë kriteret e përcaktuara në nenet 124, 126 dhe 130 të Kodit Zgjedhor.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga KQZ mbrëmjen e 3 korrikut, koalicioni “Poli i lirisë”, grupim i gjashtë partive, mori në zgjedhjet e 28 qershorit 27.493 vota ose 1.82%.

****

KQZ shtyn sërish Fierin, debate mes Ristanit dhe Subashit

data 6 korrik

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë sërish numërimin e 9 kutive të Qarkut të Fierit me pretendimin se partitë nuk kanë bërë kërkesë për hapjen e tyre. Zv.kryetarja, Dëshira Subashi, kërkoi që në fillim të mbledhjes që të procedohet si me Fushë-Kuqen, pra të hapen kutitë. Ndërsa kryetari i KQZ, Arben Ristani tha se nuk ka një kërkesë nga subjektet partiake ndaj duhet të vijohet me analizimin e tabelave pasi KZAZ i ka plotësuar ato.

Më pas KQZ vijoi mbledhjen me miratimin e tabelës përmbledhëse të Qarkut Durrës dhe më tej kërkoi shqyrtimin e Beratit. Për këtë të fundit administrata nuk e kishte gati dosjen. Në vijim të mbledhjes së KQZ-së, Ristani tha se “meqëse këta e kanë kaq problem Fierin dhe të shqyrtojmë materialet që kanë ardhur nga ky qark”. Por as për këtë, administrata nuk ishte gati. Subashi replikoi duke thënë se “në bazë të ligjit kur kutitë e një KZAZ-je vijnë këtu me vendim KQZ duhet të merren në shqyrtim brenda 48 orëve dhe në fakt 48 orë kanë kaluar për kutitë e Fierit”.

Në këto kushte KQZ vendosi që të mbidhet nesër në mëngjes sërish për kutitë e shumëdebatuara të Fierit.

*****

KQZ vendos të hënën për 9 kutitë e Fierit. Reagon PS-ja

Data 5 korrik

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë për nesër vendimin për fatin e 9 kutive të qarkut të Fierit. Kuti, në të cilat Partia Socialiste pret të marrë mandatin e nëntë. Sipas nënkryetares së këtij Komisioni, Deshira Subashi, dita e nesërme korrespondon me afatin për marrjen në shqyrtim të kutive nga institucioni qendror zgjedhor. Kutitë që ende nuk janë numëruar i përkasin KZAZ nr. 18, 19,20, 22, për të cilat Subashi deklaron se ka shkelje. Sipas saj, në shumë kuti të katër KZAZ-ve komisionerët nuk kanë kryer fare procesin e numërimit, megjithëse këto kuti kanë dokumentacionin (tabelat) që janë numëruar. Në këto kushte subjekti politik i interesuar duhet të ankimojë pranë KQZ vendimin e kundraligjshëm të KZAZ. Më pas KQZ voton për të pranuar ose jo ankimimin dhe vetëm në rastin e një miratimi të ankimit , KQZ ka të drejtën ligjore të numërojë kutitë përkatëse.
Pas kësaj, ka reaguar menjëherë kandidatja e PS-së, Ermelinda Meksi, e cila ka kërkuar nga Sali Berisha të ndalojë tentativat për t’i marrë PS-së mandatin e nëntë në këtë qark. Gjatë një reagimi nga selia e PS-së ajo u shpreh se ka vënë në dijeni faktorin ndërkombëtar për të monitoruar procesin.
“I kërkojmë Sali Berishës të ndalë çdo tentativë të dështuar për rrëmbimin e mandatit të nëntë të PS-së në qarkun e Fierit. I kërkojmë KQZ-së që në respekt të ligjit të mos zvarrisë numërimin e kutive të panumëruara të Fierit, që ndodhen prej ditësh në sallën e mbledhjeve të KQZ-së”- tha ajo.
Sipas Meksit, KQZ-ja duhet të vlerësojë urgjentisht ankimin e forcave politike, për manipulim dhe shkelje të Kodit Zgjedhor, në Tirane, Berat etj.

Popularity: 1% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com