Kategoria | Lajme

Matura/ Kopjacët, rivlerësim për të mos u pezulluar

Vonesa, grupi i posaçëm që u ngrit nga Ministria e Arsimit, ndodhet në proces rikorrigjimi. Grupi i posaçëm, që u ngrit nga Ministria e Arsimit, ndodhet në proces rikorrigjimi
Maturantët, të cilët aktualisht nuk kanë marrë ende përgjigjet e provimeve, do të kenë rezultatet e notave të provimeve me zgjedhjet në fillim të javës së ardhshme. Një grup i posaçëm specialistësh është në proces të rikorrigjimit të tezave të tyre.

Sipas udhëzimit, vlerësuesit duhet të shohin me kujdes provimet, në mënyrë që të mos ketë asnjë pasaktësi dhe të mos arrihet deri në masa drastike, në pezullim të provimit, duke u hequr shpresat maturantëve për të qenë kandidatë për studentë. Kështu, këtë javë, edhe pse nuk janë dhënë përgjigjet për 20 shkolla publike dhe private në vend, të paktën fundjava ka qenë më e qetë për maturantët, pasi është publikuar vendimi për shtyrjen e afatit të plotësimit të formularit A2. Po ashtu, procesi i rivlerësimit do të mbyllet para afatit të përcaktuar për dorëzimin e dokumentit. Edhe pse maturantët që nuk morën përgjigje nuk do të kenë shumë kohë në dispozicion për të plotësuar formularin, ky do të jetë një lloj “ndëshkimi” për ata që preferuan të kopjonin, si zgjidhje për të marrë më shumë pikë në provimet me zgjedhje.

Pavarësisht shqetësimit të nxënësve dhe familjarëve të tyre, maturantët nuk janë paraqitur më pranë dyerve të Ministrisë së Arsimit, fill pas deklaratave të përfaqësuesve të këtij dikasteri se procesi i korrigjimeve për disa shkolla po vonon për shkak se janë konstatuar nxënës kopjacë.
Janë 20 shkolla në të cilat ende nuk janë afishuar rezultatet. Institucionet ku nxënësit ende nuk kanë marrë rezultatet e provimeve me zgjedhje janë publike e private. Ato ndodhen në Shkodër, Gjirokastër, Pogradec, Ballsh, Fier, Lushnjë e Elbasan.

Një pjesë e maturantëve që nuk morën përgjigje në listat e para, kanë marrë notat e provimeve pranë drejtorive të shkollave, ku janë dërguar në varantin e printuar. Të tjerët po presin javën e ardhshme për të marrë përgjigjet e merituara.

Sakaq, nxënësit të cilët nuk kanë marrë provimin, tashmë kanë një informacion për vonesat në procesin e korrigjimit dhe rikorrigjimit. Të gjitha këto lidhen me problemet e menaxhimit të provimeve nga ana e administratorëve dhe mungesën e korrektesës së mësuesve të tjerë që nuk kanë respektuar rregullat e maturës shtetërore. Mësohet se nuk flitet vetëm për përpjekje individuale të nxënësve për të kopjuar, por edhe për shpërndarjen e tezës në mënyrë të organizuar nga mësuesit që duhej të mbikëqyrnin provimin. Afati i dorëzimit të formularit A2 të plotësuar në çdo pjesë të tij do të jetë data 6 gusht, të premten e ardhshme. Provimi i maturës shtetërore u zhvillua më 30 qershor. Në datën 16 korrik u publikuan zyrtarisht në letër të printuar dhe në versionin elektronik listat e rezultateve.

Popularity: 2% [?]

Keni dicka per te then? Shkruajeni me posht...

  • Ads
  • Te Fundit
  • Komente
  • Etiketat
  • Abonohu
Perfito adresen tende @fierionline.com